17 Shtator 2021

Trump nuk duhet të ketë qasje në informacionet e zbulimit

Washington, 6 shkurt - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden nuk beson se paraardhësi i tij Donald Trump duhet të ketë qasje në informacionet e zbulimit për shkak të “sjelljes së tij të çorientuar” dhe shqetësimit se ai mund t’ua japë atë informacion të tjerëve, tha zoti Biden në një intervistë të premten.

“Mendoj se jo”, tha zoti Biden kur u pyet nga drejtuesja e emisionit CBS Evening News, Norah O’Donnell nëse ish-presidenti republikan Trump, duhet t’i merrte informimet e zbulimit.

Ish-presidentët amerikanë tradicionalisht kanë marrë disa informacione zbulimi edhe pasi kanë lënë detyrën.

Ish-presidenti Trump e denigronte shpesh komunitetin e zbulimit dhe nuk preferonte raportime të gjata për zbulimin gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Ai kishte vënë gjithashtu në pikëpyetje përfundimet e zbulimit amerikan sipas së cilave Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.

Zoti Biden tha se pikëpamja e tij se Trump nuk duhet të merrte njoftimet e zbulimit nuk ishte e lidhur me trazirat e Kapitolit.

“Për shkak të sjelljes së tij të çorientuar, pa lidhje me rebelimin”, tha zoti Biden, duke shpjeguar arsyetimin e tij.

I pyetur se cili do të ishte shqetësimi i tij më i madh nëse zoti Trump do të merrte informacion të tillë të klasifikuar sekret, zoti Biden nuk pranoi të hynte në hollësi.

“Do të preferoja të mos spekuloja me zë të lartë. Thjesht mendoj se nuk ka nevojë që ai të ketë informacione të tilla. Çfarë vlere ka t’i japësh atij një përmbledhje informacioni zbulimi? Çfarë ndikimi ka ai, përveç faktit se mund t’i rrëshqasë goja dhe të thotë diçka?”, tha presidenti Biden.

Shtëpia e Bardhë kishte thënë më parë se çështja ishte nën shqyrtim.

Për muaj me radhë pas zgjedhjeve, zoti Trump sfidoi rezultatin e tyre me ankesa në gjykata dhe duke bërë akuza të pabazuara për mashtrim të përhapur me votimet. Ai nuk mori pjesë në inaugurimin e zotit Biden më 20 janar, ku ishin të pranishëm ish-presidentë të tjerë të Shteteve të Bashkuara, duke zgjedhur të udhëtojë në Florida, ku është vendosur pas presidencës./VOA/

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Shtator 2021 - Kuvendi i Komunës së Prizrenit do të mbajë mbledhjen e jashtëzakonshme lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. (Salla për mbledhjet e Kuvendit të Komunës, në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues nga Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajčák. (Kabineti i Presidentes, ora 10:10 - vetëm pamje në fillim të takimit)

- Komuna e Deçanit organizon promovimin e librit  “Krimet serbe në Kosovë” nga autori  Prof. Adem Lushaj. (Salla e Asamblesë Komunale në Deçan, ora 10:00)

- Nen përcjelljen e Forces së Sigurisë se Kosovës mbahet ceremonine e rivarrimit te dëshmorit Mehmetali Behluli. (Kompleksi i Varrezave te Dëshmoreve në Gjilan, ora 11:00)

- Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës proteston para ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me nxjerrjen e udhëzimit administrativë për shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë. (Para ministrisë së Shëndetësisë, ora 11:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mban konferencë për media lidhur me Marrëveshjen e bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut dhe zhvillimet në sektorin e energjisë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në aktivitetin "Dita pa Makina" të organizuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike. (Sheshi i Dëshmorëve, ora 14:00)

- Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren.do të bëj prezantimin e kandidatëve për asamblistë. (Hapësirat e Lidhjes së Prizrenit, ora 18:00)