19 Prill 2024

Thaçi e Sejdiu në takimin vjetor të Nismës Globale Klinton

New York, 22 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me presidentin Fatmir Sejdiu, kanë marrë pjesë në takimin vjetor të Nismës  Globale Klinton, që mblodhi liderë dhe ish-liderë shtetesh nga e mbarë bota.

E mbështetur në përvojën e presidentit Klinton në jetën publike, Nisma Globale Klinton (Clinton Global Initiative) reflekton besimin që qeveritë kanë nevojë të bashkëpunojnë me sektorin privat, organizatat joqeveritare dhe liderët tjerë globalë për t’u përballur me sfidat më të mëdha botërore.

Në vitin 2005, Presidenti Klinton themeloi CGI-në për të shndërruar idetë në veprime dhe për të ndihmuar botën për të lëvizur gjendjen aktuale të globalizimit drejt një komuniteti më të integruar të ndarjes së benefiteve, përgjegjësive dhe vlerave.

Në takim vjetor të Nismës Globale Klinton, që u mbajt sot në Nju Jork, ku kanë marrë pjesë më shumë se 125 liderë dhe ish-liderë shtetesh nga e gjithë bota, 15 Fitues të Çmimit Nobel për Paqë, qindra menaxherë globalë ekzekutivë, filantropistë të njohur dhe udhëheqës fondacionesh, drejtorë të organizatave më të shquara joqeveritare dhe anëtarë prominientë të medias botërore, kryeministri Thaçi dhe Presidenti Sejdiu, kanë takuar shumë liderë vendesh, me të cilët kanë bisduar për aktualitetin politik ndërkombëtar rreth Kosovës.

Gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Thaçi dhe Presidenti Sejdiu patën një takim të përzemërt me ish-presidentin amerikan, Bill Klinton, ku u diskutuan tema që kanë të bëjnë me të arriturat e deritanishme dhe mundësitë zhvillimore të Republikës së Kosovës dhe për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa, në takimet që ka zhvilluar me liderë tjerë botëror, pjesëmarrës në takimin vjetor të Nismës Globale Klinton, Kryeministri Thaçi ka shfaqur vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që tani pas opinionit pozitiv të GJND-së dhe Rezolutës së OKB-së për Kosovën është hapur definitivisht perspektiva e zhvillimit të gjithanshëm, prandaj përkushtimi insitucional shtetëror i Kosovës do të fokusohet në mënyrë të veçantë në sjelljen e investitorëve të fuqishëm nga e mbarë bota në vend.

Kryeministri Hashim Thaçi, i shoqëruar nga presidenti Sejdiu dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, po sot ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Nasser Al-Sabah.

Temë kryesore e takimit, ishte realiteti politik ndërkombëtar për Kosovën, që është krijuar pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pas miratimit të Rezolutës për Kosovën nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që e njeh këtë opinion.

Liderët shtetëror të Kosovës, me këtë rast para kryeministrit të Kuvajtit, prezantuan të arriturat e Republikës së Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, përkushtimin institucional shtetëror për qeverisje të mirë, efektive, transparente, të bazuar në sundimin e rendit dhe ligjit, në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mbi të gjitha në respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, raportet e fqinjësisë së mirë dhe në thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm me të gjitha vendet e rajonit.

Kryeministri Thaçi theksoi se shteti i pavarur i Kosovës është dëshmuar faktor paqeje, stabiliteti, bashkëpunimi dhe zhvillimi, për gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Kryeministri Thaçi dhe Presidenti Sejdiu gjatë takimit, e ripotencuan kërkesën e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvajtit,

Tani pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pas miratimit të Rezolutës për Kosovën nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që e njeh këtë opinion, është hequr çdo dilemë legale dhe politike, prandaj është koha dhe momenti i duhur që Kuvajti të merr edhe vendimin formal për njohjen e pavarësinë e Kosovës, - theksoi kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij, kryeministri i Kuvajtit, Sheikh Nasser Al-Sabah. vlerësoi lartë përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe theksoi se vetëm ky vizion i hapur do të ndikojë në ecjen përpara në të gjitha aspektet të rajonit të Evropës Juglindore.

Kryeministri i Kuvajtit, u shpreh se qeveria që ai drejton mbështetë proceset e zhvillimit dhe prosperimit të Kosovës dhe gjithë rajonit, dhe është në fazën e marrjes së vendimit për njohjen e shtetësisë së Kosovës, në koordinim me shtete e rajonit të Gjirit Persik, që ende nuk e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës.

Kryeministri Thaçi vazhdon vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ditët në vijim, kryeministri Thaçi do të zhvillojë edhe takime tjera me liderë nga vende të ndryshme të botës. Ndërsa, nesër në Nju Jork do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)