05 Tetor 2022

Temperaturat ngriten në 40 gradë

Prishtinë, 18 korrik - Temperatura të larta, mot i nxehtë, por rreze edhe më të nxehta dielli do të na shoqërojnë për të gjithë javën në vazhdim.

Termometri i sinoptikanëve do të vijojë të regjistrojë temperatura të larta, njësoj si javën që lamë pas. Fundjava ka qenë e “zjarrtë”, ashtu si dhe në vende të tjera të Europës, që ndodhen nën trysninë atmosferike të rrymave afrikane, që së fundmi po qarkullojnë edhe në rajonin tonë.

I nxehti afrikan që ka pushtuar vendin do të na shoqërojë, së paku, deri në fundjavën tjetër. Sipas meteorologëve, temperaturat do të vijnë në rritje. Ashtu si dje, edhe sot, meteorologët parashikojnë temperatura tepër të larta dhe pritet që termometri të shënojë 40 gradë Celsius.

“Temperaturat do të vazhdojnë të jenë të larta. Pritet të jemi me mot të kthjellët dhe me këto vlera të temperaturave deri në datën 24 korrik. Duke nisur nga e enjtja e javës tjetër, ne presim të kemi një rënie, por ajo do jetë me 3-4 gradë, pra jo shumë e ndjeshme”, ka sqaruar sinoptikania e institutit të parashikimeve “Meteoalb”, Lajda Porja.

Vala e të nxehtit afrikan, tashmë e pranishme në vend, ka përfshirë një pjesë të mirë të Europës, ndërsa epiqendra është Italia, vend që po gjendet nën trysninë e temperaturave të larta. Në këto kushte, edhe “viktimat” e vapës përvëluese janë të konsiderueshme.

Sipas bilancit statistikor, të kryer ditët e fundit pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, rezulton që çdo ditë, në urgjencën e pediatrisë, paraqiten nga 150-200 raste fëmijësh të sëmurë. Këto shifra, vetëm gjatë 24 orëve.


Po ashtu, urgjenca e kardiologjisë pret dhe përcjell brenda një ditë-nate nga 100 deri në 150 pacientë me probleme kardiake, luhatje të tensionit apo shqetësime të tjera.

Një tjetër shërbim me fluks pacientësh është edhe pavijoni i infektivit. Për shkak të virozave, helmimeve, problemeve me temperaturën e lartë, viroza të stinës dhe shqetësimeve të tjera stinore, në këtë repart paraqiten çdo ditë nga 60-80 qytetarë.
Këshillohet dalja në mëngjes ose në mbrëmje, pas orës 19:00, qëndrimi në ambiente të freskëta, ajrosja e shtëpisë, veshja e lehtë me materiale të përshtatshme për stinën.

Mjekët këshillojnë konsumin e lëngjeve, frutave, ushqimeve me pak kalori, pa yndyrë, sheqer, sa më pak alkool dhe duhan. Ruajtja dhe konsumi i ushqimeve, sipas kushteve të nevojshme. Është i nevojshëm konsumi i të paktën dy litrave ujë në ditë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 tetor 2022

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku. (Ndërtesa e Ministrisë, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues në Gjilan. (Salla e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama. (Ndërtesa e Komunës, ora 10:45)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve pret sekretaren e ambasadës së Malit të Zi, Fedisa Dacić ku edhe do të mbahet konferenca për media lidhur me Forumin Ekonomik Ndërkombëtar Ulqini. (Objekti i AKB-së, ora 11:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës. (Selia e FFK-së, ora 11:30)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton në parim Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:30)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit organizon ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve të aseteve përmes likuidimit nr. SHAL 59. (Hotel Grand, ora 12:30)

- Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Integrime Evropiane. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komuna e Gjilanit organizon mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e prof. dr. Shqiponja Isufit. (Salla e teatrit të qytetit të Gjilanit, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike bën zgjedhjen e eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban mban konferencë për media. (Stadiumi “Fadil Vokrri”, ora 15:00)

- Zhvillohet ndeshja Kosovë - Itali në kuadër të Kualifikimeve e Evropianit U17. (Stadiumi “Fadil Vokrri”, ora 16:00)