19 Tetor 2021

Shtohen thirrjet për shkarkimin e Presidentit Donald Trump

Prishtinë, 7 janar - Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se pret një vendim të shpejtë nga ana e Nënpresidentit Mike Pence nëse ai do të aktivizojë amerndamentin e 25-të të Kushtetutës për ta hequr zotin Trump nga detyra.

Presidenti Donald Trump po përballet me thirrje në rritje për largimin nga posti, një ditë pas trazirave në Kapitol të shkaktuara nga mbështetës të Presidentit.

Megjithëse zotit Trump i kanë mbetur vetëm 13 ditë nga mbarimi i mandatit, ka patur kërkesa të shumta për heqjen e tij nga posti, mes tyre nga demokratë të Senatit dhe nga një kongresmen republikan.

Zonja Pelosi, në komentet e bëra të enjten la gjithashtu të hapur mundësinë që ndaj Presidentit të fillojë procesi i shkarkimit nga posti.

Ajo tha se ata që hynë me forcë në Kapitol janë terroristë.

Kongresi çertifikoi zyrtarisht të enjten herët në mëngjes fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, pavarësisht kundërshtimeve të disa ligjvënësve republikanë.

Ndërkaq, edhe anëtarë të kabinetit të zotit Trump dhe aleatë të presidentit republikan kanë diskutuar aktivizimin e një dispozite të Kushtetutës amerikane për heqjen e tij nga detyra, tha një burim që kishte dijeni për situatën.

Në Uashington, një numër në rritje i ndihmësve të Shtëpisë së Bardhë thanë se do të largoheshin, duke përfshirë të dërguarin diplomatik Mick Mulvaney, ish-shef i kabinetit të zotit Trump, dhe këshilltarin e lartë për Rusinë Ryan Tully. Së shpejti priten largime të tjera.

Udhëheqësi Demokrat i Senatit Chuck Schumer i bëri thirrje Nënpresidentit Mike Pence të heqë nga posti zotin Trump në bazë të amendamentit të 25-të të Kushtetutës, i cili lejon anëtarët e kabinetit të rrëzojnë një president kur konsiderohet i paaftë për postin. Të paktën një republikan dhe 19 demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve bënë thirrje për një hap të tillë.

"Ajo që ndodhi dje në Kapitol të SHBA ishte një kryengritje kundër Shteteve të Bashkuara, e nxitur nga presidenti", tha zoti Schumer në një deklaratë. "Ky president nuk duhet të qëndrojë në detyrë as edhe një ditë më shumë."

"Nëse Nënpresidenti dhe kabineti refuzojnë ta bëjnë, Kongresi duhet të mblidhet përsëri për të nisur procedurat e shkarkimit të Presidentut,” tha ai.

Kongresmeni republikan Adam Kinzinger bëri thirrje që të aktivizohet amendamenti i 25-të për të hequr zotin Trump.

"Të gjitha indikacionet janë se presidenti është bërë i pandjeshëm, jo vetëm për detyrën dhe betimin që ka dhënë, por edhe ndaj vetë realitetit," tha Kinzinger në një video që postoi në Twitter.

Një burim i njohur me situatën tha se përpjekja për të përdorur amendamentin në fjalë nuk duket se mund të ketë sukses.

Shumica e republikanëve në Kongres kanë treguar pak interes për të bërë presion mbi kabinetin që të ndërmarrë një hap të tillë.

Senatorja demokrate Amy Klobuchar tha se Kabineti i zotit Trump duhet të jetë i përgatitur të veprojë, pasi presidenti mund të shkaktojë probleme të tjera në kohën e tij të mbetur në detyrë.

"Është më mirë të jenë gati ta bëjnë këtë nëse vazhdon, sepse nuk mund të kesh një president që në thelb drejton një kryengritje kundër qeverisë së vendit tonë," tha zonja Klobuchar për rrjetin CBS.

Presidenti Trump u zotua në një deklaratë herët në mëngjes për një "tranzicion të rregullt" përpara inaugurimit të zotit Biden, pjesërisht për të ndaluar largimin e njerëzve të tjerë të stafit të tij. Megjithatë ai ka vazhduar të përsërisë pohimin e pabazë se zgjedhjet u vodhën.

Gjithashtu ai nuk e ka dënuar dhunën që ndodhi pasi ai inkurajoi mbështetësit të marshonin drejt Kapitolit, pavarësisht lutjeve nga anëtarë të lartë të administratës.

"I lutem Presidentit dhe të gjithë zyrtarëve të zgjedhur të dënojnë me forcë dhunën që ndodhi dje," tha Sekretari në detyrë i Sigurisë së Brendshme Chad Wolf.

Ndërkohë, Byroja Federale e Hetimit i kërkoi publikut informacione për identifikimin e personave të përfshirë në dhunë, gjatë së cilës humbën jetën katër persona. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2021

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE Lukas Mandl dhe Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian Viola von Cramon-Taubadel mbajnë konferencë për shtyp lidhur me për zgjedhjet lokale në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin "Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike në Kosovë - Mos - Informimi i Publikut 3". (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Komisioni Evropian do ta publikojë paketën vjetore të zgjerimit, përfshirë Raportet e Vendeve ku do te mbahet konferencë për shtyp nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerimi, Oliver Varhelyi. (Transmetimi në faqen e Zyrës së BE-së në Facebook, ora 17:15)

- Teatri i Prishtinës Dodona shfaq “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht”. (Teatri Dodona, ora 17:30)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog i dorëzon raportin e Komisionit Evropian Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me ç'rast do të mbajnë edhe një konferencë te përbashkët për shtyp, ora 18:30)