29 Mars 2024

Shqipëria përshëndet opinionin e GJND-së

Tiranë, 22 korrik - Zëvendes Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta përshëndet mendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organi kryesor i drejtësisë Ndërkombëtare, që konfirmon në mënyrë të qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është një akt i ligjshëm dhe në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare, si dhe një rikonfirmim i të drejtës së patjetërsueshme të qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi, një kontribut për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, rajon e më gjerë.

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta shpreh bindjen se mendimi i Gjykatës njëkohësisht i hap rrugë përshpejtimit të procesit të njohjes së shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, drejt anëtarësimit me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në një të ardhme të afërt.

Meta rithekson mbështetjen e paekuivok për shtetin e pavarur të Kosovës dhe integritetin e saj territorial, si dhe vlerëson progresin e dukshëm në konsolidimin e pavarësisë, ndërtimin e institucioneve demokratike, në funksion të plotë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ai tha se rëndësia e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë për fillimin e menjëhershëm të dialogut mes autoriteteve legjitime të të dy vendeve për zgjidhjen e çështjeve praktike, në dobi të interesave të përditshme të qytetarëve të tyre, si dhe perspektivës së përbashkët evropiane.

Zv. Kryeministri Meta shpreh edhe një herë angazhimin dhe mbështetjen e plotë të Shqipërisë për afirmimin e mëtejshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pjesëmarrjen me të drejta të plota të Kosovës në projektet dhe forumet rajonale, si dhe për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve tona, në të mirë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)