19 Prill 2024

Shqipëria në ofensivë për njohjen e Kosovës

Tiranë, 5 gusht - Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta është takuar me zv.ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Drucas, ku temë kryesore ishte Kosova pas dhënies së mendimit nga GJND-ja. Për të nxitur njohjet e reja për Kosovën, shefi i diplomacisë shqiptare do të vazhdojë turneun e tij edhe në Qipro, Liban, Siri.

Ministria e Jashtme greke njoftoi se takimi me shefin e diplomacisë shqiptare ishte jozyrtar dhe u zhvillua në kuadër të kalimit transit në Athinë të ministrit Meta, i cili është nisur për një vizitë zyrtare në Qipro.

Ndërsa sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në takim u shkëmbyen mendimet për një sërë çështjesh rajonale, ku në qendër ishin zhvillimet më të fundit lidhur me Kosovën.

Drucas informoi Metën lidhur me vizitën e tij para pak ditësh në Prishtinë dhe Beograd. “Meta dhe Drucas patën mundësinë të shkëmbejnë mendimet e tyre lidhur me situatën politike në rajon pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën”.

Greqia, tha Drucas, po shikon me kujdes zhvillimet në rajon. Athina sipas tij mbetet e vendosur në qëndrimet e saj lidhur me një sërë çështjesh që shqetësojnë Ballkanin.
Ai përsëriti vendimin e Greqisë për implementimin e nismës greke për integrimin e gjithë Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2014.

Ndërsa ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta falënderoi Athinën për ndihmën e dhënë në integrimin evropian të Shqipërisë. Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet shqiptaro-greke do të forcohen edhe më shumë. Pikë lidhëse për përparimin e mëtejshëm të tyre veç tjerash, sipas tij janë minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi.

Meta, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër i Shqipërisë, do të vizitojë sot Qipron dhe më pastaj do të vazhdojë turneun e tij zyrtar edhe në Siri dhe Liban.

Ditë më parë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, bëri të ditur se ministri Meta së shpejti do të niset në një turne të gjatë në përpjekje për të nxitur njohje të reja të pavarësisë së Kosovës pas vendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)