28 Mars 2024

Reagime të ashpra ndaj deklaratës së Jeremiçit

Bruksel, 8 mars - Deklarata që ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, bëri gjatë vizitës së ditëve të fundit në Budapest, se “kushdo që beson se Serbia, në rast se do të ishte e detyruar të zgjidhte mes Bashkimit Europian dhe Kosovës, do të zgjidhte BE-në, gabohet, sepse ajo do të zgjidhte Kosovën”, ngjalli reagime të menjëhershme si jashtë vendit, ashtu edhe brenda tij, sidomos nga ata që kanë lidhje të ngushtë me politikën e jashtme të Serbisë dhe proceset e saj eurointegruese.

Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Jelko Kacin, duke komentuar deklaratën e mësipërme të shefit të diplomacisë serbe, në një prononcim që bëri këto ditë në “Dojçe Vele” (seksioni serbisht), vuri në dukje se “Serbinë askush nuk po e vë në situatën që të zgjedhë mes BE-së dhe Kosovës dhe se janë vetë zyrtarët e lartë serbë ata që po e hapin këtë çështje, të cilën BE-ja nuk e ka shtruar”.

Kacin gjithashtu theksoi se “ne tani jemi mësuar me deklaratat e zotit ministër të Punëve të Jashtme të Serbisë. Kur ai bën ndonjë deklaratë të kësaj natyre, ne presim që dikush tjetër të bëjë deklaratë për të njëjtën çështje. Mendoj se Presidenti Boris Tadiç, ashtu sikurse ka bërë edhe 100 herë të tjera deri tani, do ta bëjë këtë edhe për të 101-tën herë dhe do ta kapërcejë në një farë mënyre situatën e krijuar. Kosova nuk është lodër politike”, tha Kacin.

Ai theksoi se “zgjedhja mes hyrjes së Serbisë në BE dhe njohjes së Kosovës nga ana e saj asnjëherë nuk është vënë si kusht. Deri sa autoritetet e Serbisë nuk do ta tërheqin vetë aplikimin që kanë bërë, kjo do të thotë se Serbia dhe populli i saj dëshirojnë të bashkohen me BE-në”, vuri në dukje ky europarlamentar, duke vazhduar më tej se “shpresonte se homologu hungarez i Jeremiçit (Peter Balazh), në emër të BE-së, do t’ia ketë bërë të qartë atij (Jeremiçit) se Kosova, prej kohësh, mes Serbisë dhe BE-së ka zgjedhur BE-në”.

Duke folur për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, Jelko Kacin nënvizoi se në Kosovë ushtrojnë detyrat e tyre përfaqësues të zgjedhur serbë dhe se serbët kanë dy ministra në qeverinë e Kosovës dhe përfaqësues në Kuvendin e Kosovës, të cilët Beogradi, sipas tij (Kacinit) duhet t’i mbështesë në interes të serbëve, që kanë vendosur të jetojnë në Kosovë.

“Për këtë arsye, Kosova nuk duhet të mbrohet, por duhet të mbështetet, të motivohet dhe të inkurajohen serbët e atjeshëm që të bëhen pjesë të zgjidhjes dhe jo të problemit”, tha raportuesi për Serbinë në PE, duke theksuar në mënyrë të veçantë se “Kosova, në asnjë rast, nuk duhet të jetë lodër politike në duart e Beogradit”.

Kryetari i Partisë Liberal-Demokrate të Serbisë, Çedomir Jovanoviç, nga ana e tij, duke folur ditët e fundit në Parlamentin serb dhe duke iu drejtuar Kryeministrit të Serbisë, Mirko Cvetkoviç, lidhur me deklaratën e lartpërmendur të ministrit të Jashtëm serb, shtroi pyetjen “sesi është e mundur që qeveria juaj ka dy politika dhe si është e mundur që ministri Jeremiç vë në diskutim kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE?”.

 “Ne nuk na habit deklarata e ministrit Jeremiç, sepse ai, zakonisht, bën një politikë të veten, e cila, në raste të shpeshta, është në konflikt me qëndrimet e qeverisë dhe deklaratat e Presidentit të Republikës. Ajo që na habit neve, megjithatë, është heshtja e qeverisë, sepse kjo është shenjë solidariteti. Kërkojmë nga qeveria që ajo të shpjegohet qartë lidhur me këtë, sepse ato që thotë Jeremiçi, janë në kundërshtim me gjithçka që përmban politika zyrtare e shtetit tonë dhe, ndërkohë, askush nuk e ka kushtëzuar Serbinë që të bëjë një zgjedhje të tillë. Shefi i diplomacisë nuk ka të drejtë të paraqesë në publik qëndrime që nuk janë konfirmuar as në Parlament dhe as në ndonjë mbledhje të qeverisë”, theksoi Jovanoviçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)