06 Tetor 2022

Qytetarët përpiqen të largohen nga Kievi për t’u shpëtuar sulmeve ruse

Kiev, 24 shkurt - Pamje të trishta janë publikuar këtë mëngjes nga Kievi, ndërsa të gjithë po përpiqen që të largohen nga Kievi për t’u shpëtuar sulmeve ruse.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës nga Donbasi duke shkaktuar shtatë të vrarë dhe nëntë të plagosur deri më tani.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha këtë mëngjes se Rusia nisi pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba shkroi se presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

Ai tha se Ukraina do ta mbrojë veten dhe se “bota mund dhe duhet ta ndalë Putinin”.

“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, tha Kuleba.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi tha se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.

Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.

Zelenskyi tha se po shpall gjendje lufte, duke u bërë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë.

Presidenti rus konfirmoi se ka nisur, siç tha një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shpërthime dhe të shtëna me armë u raportuan në Kiev dhe qytete të tjera.

Sipas raporteve nga agjencitë perëndimore të lajmeve, qytete të shumta janë nën sulm. Sipas CNN ka shpërthime në të paktën shtatë qytete.

Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë aeroportit kryesor “Boryspil” në Kiev, menjëherë pasi Rusia njoftoi për operacionin, bëri të ditur agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar mediat lokale.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi të ketë sulmuar qytetet ukrainase, duke thënë se në shënjestër ka “infrastrukturën ushtarake, mbrojtjen ajrore dhe forcat ajrore me armë të precizionit të lartë”, raportoi agjencia ruse e lajmeve RIA.

Në një fjalim televiziv, drejtuar kombit, Putin u përpoq të justifikonte operacionin, duke pretenduar se ai është i nevojshëm për ta parandaluar Ukrainën nga sigurimi i armëve bërthamore, edhe pse Ukraina nuk ka shprehur synime të tilla.

“Rrethanat kërkojnë që ne të ndërmarrim veprime vendimtare dhe të menjëhershme”, tha Putin, duke shtuar se separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës, kanë kërkuar ndihmë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 tetor 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Byroja Kosovare e Sigurimit shënon 11 vjetorin e themelimit. (Hotel Venus, ora 9:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe UNDP Kosova do të organizojnë  fillimi e fushatës për ndërgjegjësimin e publikut  “Festo me zemër, jo me armë” që synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Oda Amerikane po organizon tryezën e rrumbullakët me titullin "Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë", për të diskutuar lidhur me këtë temë dhe sfidat e tjera në fushën e kujdesit shëndetësor, me ekspertë eminentë nga Kroacia. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Jeton Mehmetin Kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ora 10:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajë konferencë për media me temë 'Masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët'. (Ministria e Ekonomisë, salla e takimeve, ora 11:00)

- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës raporton para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën 6 mujore të vitit 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:00)

- Me rastin e vdekjes së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, Komuna e Deçanit organizon mbledhjen komemorative. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 13:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:00)