28 Mars 2024

Princesha e Emirateve të Bashkuara Arabe mbahet peng nga babai

Dubai, 18 shkurt - Panorama, programi hulumtues i transmetuesit britanik BBC, ka publikuar më 16 shkurt një video në cilën është shfaqur Princesha Latifa, një prej vajzave të udhëheqësit të Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, duke thënë se ajo është izoluar kundër dëshirës së saj në një vilë të barrikaduar.

Princesha Latifa bin Mohammed al-Maktoum ka fituar vëmendje ndërkombëtare më 2018 kur një grup i të drejtave të njeriut ka publikuar një video që ka bërë ajo, teksa ka tentuar të ikë nga Dubai.

Fushata për lirimin e Latifas, përmes së cilës është kërkuar lirimi i saj për kohë të gjatë, ka thënë se ka arritur t’ia dorëzojë asaj një telefon.

“Unë jam peng në këtë vilë, që është shndërruar në burg”, ka thënë Latifa, 35-vjeçare, në një video të publikuar nga Panorama.

“Të gjitha dritaret janë të mbyllura, nuk mund ta hap asnjërën”.

Ajo ka thënë se ka bërë videon në banjo të vilës, meqë ajo është hapësira e vetme me çelës.

“Nuk e di nëse do t’i mbijetoj kësaj situate”, ka thënë ajo në njërën prej videove.

BBC ka thënë se videot janë incizuar disa muaj më parë.

Marcus Essabri, një kushëri i saj që jeton në Angli, i ka thënë BBC-së, se Latifa nuk ka dërguar video në muajt e fundit dhe nuk di asgjë për të.

“Frikësohem se ata e kanë zënë me telefon dhe tani shqetësohem për sigurinë e saj”, ka thënë ai.

David Haigh, një prej themeluesve të fushatës për lirimin e saj dhe njëherësh avokat i saj, ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të Latifas, në mënyrë që t’i jepet fund “periudhës së tmerrshme të abuzimit prindëror dhe të drejtave të njeriut, të cilat kanë dëmtuar rëndë imazhin e Emirateve të Bashkuara Arabe”.

Në dukje e alarmuar, por duke folur në qetësi, Latifa ka thënë në video se ka zyrtarë policorë jashtë dhe brenda vilës.

“Unë vetëm dua të jem e lirë”, ka thënë ajo.

Në dhjetor të vitit 2018, Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka thënë se Latifa është në shtëpi dhe duke jetuar me familjen e saj, pasi grupet për të drejta të njeriut, u kanë bërë thirrje autoriteteve në shtetin e Gjirit Arab që të bëjnë publike vendndodhjen dhe gjendjen e saj.

OKB-ja do të “diskutojë” çështjen e Latifas

Zyra e Komisionarit të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, ka thënë se do të “diskutojë këto zhvillime të reja me Emiratet e Bashkuara Arabe”.

“Pjesët tjera të sistemit të OKB-së për të drejta të njeriut, me mandate relevante, mund të përfshihen po ashtu, sapo të kenë analizuar materialin e ri apo të kenë pranuar supozimet specifike”, ka thënë zëdhënësi i kësaj zyre Rupert Colville për BBC-në.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, i ka konsideruar këto video “shumë shqetësuese” dhe ka thënë se mbështet hetimin e OKB-së.

Raab ka thënë se Britania është “e shqetësuar” mirëpo beson se Qeveria britanike mund të bëjë shumë pak pasi Latifa nuk është shtetase britanike.

Sheiku Mohammed bin Rashid al-Maktoum.

Sheiku Mohammed dhe gjykata mbretërore në Dubai kanë thënë se Latifa është e sigurt dhe në përkujdesje të familjes së saj.

Zyra për media e Qeverisë në Dubai, nuk i është përgjigjur kërkesës së mediave ndërkombëtare për koment.

Historia e Princeshës Latifa

Më 2018, agjencia e lajmeve Associated Press ka raportuar sesi miqtë i kanë ndihmuar Princeshës Latifa që të ikë me anije nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas pak kohësh ajo është zënë në Indi.

“Mua nuk më lejohet të drejtoj makinën, nuk më lejohet të udhëtoj apo të largohem nga Dubai”, pati thënë ajo në një video të incizuar pak para se të ikte.

Tentimet dramatike të ikjes, dhe pasojat e këtij veprimi kanë rezultuar me imazh të kontrolluar të kësaj çështjeje nga babi i Latifas, sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum.

Ai ka ndërtuar një qytet tejet të suksesshëm mirëpo aktivistët për të drejtat e njerëzve kanë thënë se ai nuk toleron kundërshtarët dhe sistemi gjyqësor mund të diskriminojë gratë.

Sheiku Mohammed, që udhëheq Dubain, dhe i cili shërben si kryeministër dhe nën-president i Emirateve të Bashkuara Arabe, besohet se ka shumë fëmijë me disa gra.

Disa prej djemve dhe vajzave të tij janë figura të famshme në mediat lokale, derisa të tjerët shihen rrallë.

Princesha Latifa është njohur paraprakisht për pasionin e saj për hedhje me parashutë.

Përveç vitit 2018, familja e sheikut është bërë çështje publike edhe më 2020.

Atëbotë një gjyqtar britanik pati vendosur që sheiku ka kryer fushatë të frikës kundër ish-gruas së tij dhe ka urdhëruar rrëmbimin e dy vajzave të tij, një prej të cilave edhe Princesha Latifa.

Gjykata Supreme në Londër pati marrë këtë vendim në betejën në mes të sheikut Mohammed dhe ish-gruas së tij, e cila ka ikur dhe tani jeton në Britani, Princesha Haya, vajza e Mbretit Hussein të Jordanisë.

Sheiku Mohammed është themelues i garës së suksesshme të kuajve Godolphin dhe ka marrëdhënie miqësore me Mbretëreshën britanike Elizabeta II.

Më 2019, ai ka pranuar një trofe nga Mbretëresha, pasi një nga kuajt e tij ka fituar garën në turneun Royal Ascot.

Çfarë të drejta kanë gratë në Emiratet e Bashkuara Arabe?

Gratë në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë të drejtë të drejtojnë makinën, të votojnë, të punojnë dhe të trashëgojnë pronë, duke u bërë këtë shtet të dytin më të mirin në Lindje të Mesme dhe Afrikën Veriore sa i përket barazisë gjinore, bazuar në raportet e Forumit Ekonomik Botëror.

Megjithatë, ekzistojnë disa aspekte në jetën personale të grave në këtë shtet që kontrollohen nga burrat, zakonisht bashkëshorti apo ndonjë familjar burrë.

Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë të ashpra sikurse shteti fqinj Arabia Saudite, por grave u duhet leje për t’u martuar.

Divorci është shumë i vështirë për to; burrat nuk kanë nevojë për leje, mirëpo gratë duhet të aplikojnë në gjykatë.

Në këtë shtet ekziston ligji kundër diskriminimit, mirëpo seksi dhe gjinia nuk janë të përfshira në kategoritë e mbrojtura.

Disa ligje kanë ndryshuar në vitet e fundit, të paktën në sipërfaqe.

Një leje për dhunë në familje është larguar nga kodi penal më 2016.

Megjithatë, ligji i ri përcakton dhunën në familje si abuzim apo kërcënime që “tejkalojnë kujdestarinë, juridiksionin, autoritetin ose përgjegjësinë e (një individi)”, që nënkupton se është në dorën e gjyqtarëve që të vendosin nëse burrat kanë tejkaluar “autoritetin” e tyre.

Në praktikë, mbrojtja për viktimat e abuzimit konsiderohet ende e dobët në këtë vend./REL

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)