03 Shkurt 2023

Presidentja Osmani ftoi Kryetaren Pelosi që ta vizitojë Kosovën

 Washington, 28 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur sot në takim nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi.

Presidentja Osmani falënderoi Kryetaren Pelosi për mbështetjen e saj ndaj Kosovës për dekada me radhë, e sidomos në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë përgjatë procesit të arritjes së lirisë e shtetësisë.

Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri më strategjik i Republikës së Kosovës dhe e njoftoi Kryetaren Pelosi për rreshtimin e qartë të Kosovës me politikat amerikane, në veçanti sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjes ndaj Ukrainës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për përkushtimin e vazhdueshëm të Kryetares Pelosi për t’i përafruar tutje dy vendet tona edhe sot kur kontinenti ynë po ballafaqohet me një kohë sfiduese dhe kur vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe paqedashëse janë nën kërcënim.

Ajo po ashtu potencoi rëndësinë e avancimit të rrugës euro-atlantike të Kosovës, tani që sfidat e sigurisë të krijuara nga regjimet autokratike janë gjithnjë e në rritje.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe Kryetarja Pelosi diskutuan për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, si dhe për mundësitë për thellim të bashkëpunimit për t’i kapërcyer sfidat e përbashkëta në rajon dhe arenën ndërkombëtare.

Në fund të takimit, Presidentja Osmani ftoi Kryetaren Pelosi që ta vizitojë Kosovën, duke e vlerësuar se një vizitë e tillë do kontribuonte edhe më tej në avancimin e raporteve të shkëlqyeshme e të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

 


Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)

- Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës organizon marsh kundër Asociacionit, dhe në shënim të 53-vjetorit të themelimit të UP-së. (Biblioteka Kombëtare, ora 16:00)