07 Tetor 2022

Presidenti Biden zotohet të ndalë agresionin rus në Ukrainë

Washington, 2 mars - Në fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit, mes shqetësimesh të brendshme e një bote në ankth, Presidenti Joe Biden u zotua të ndalë agresionin rus në Ukrainë, të zbusë inflacionin në rritje në SHBA, si dhe për të trajtojë problemet e lidhura me koronavirusin. Megjithë rënien e ndjeshme të infeksioneve, virusi vijon të jetë i rrezikshëm.

Presidenti Joe Biden kritikoi ashpër Presidentin rus Vladimir Putin të martën dhe mes ovacionesh të forta vlerësoi popullin ukrainas për shpirtin luftarak.

“Le t’i dërgojmë secili prej nesh një sinjal të qartë Ukrainës dhe botës se ne qëndrojmë me Ukrainën dhe popullin e saj”, tha zoti Biden.

Presidenti Biden tha se ai dhe të gjithë anëtarët e Kongresit, pavarësisht nga dallimet e tyre politike, janë të bashkuar me një vendosmëri të palëkundur në qëndrimin se liria gjithmonë do të triumfojë mbi tiraninë. Ai u kërkoi ligjvënësve që çohen e të përshëndesin ukrainasit ndërsa nisi fjalimin, çka u shoqërua me ovacione të forta.

Ishte një shfaqje e dukshme uniteti pas një viti të gjatë përplasjes të ashpra politike mes demokratëve dhe opozitës republikane.

Sfida e Presidentit Biden ishte t’u tregonte amerikanëve se ai është në krye të përgjigjes së Perëndimit ndaj periudhës më të tensionuar në marrëdhëniet me Rusinë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, 30 vite më parë.

Fjalimi i presidentit u shoqërua me ovacione nga ligjvënësit shumë prej të cilëve valëvisnin flamujt ukrainas. Disa gra anëtare të Kongresit mbërritën të veshura me ngjyrat e flamurit ukrainas, verdhë e blu.

“Ne po i shkaktojmë dhimbje Rusisë dhe po mbështesim popullin e Ukrainës. Putini tashmë është i izoluar nga bota më shumë se kurrë. Ai nuk e ka idenë se çfarë e pret. Ndërsa ai mund të bëjë përparim në fushën e betejës, ai do të paguajë një çmim të lartë të vazhdueshëm në planin afatgjatë. Ne po e mbysim qasjen e Rusisë në teknologji që do të dëmtojë fuqinë e saj ekonomike dhe do të dobësojë ushtrinë e saj gjate viteve në vijim”, tha Presidenti Biden.

Agresioni rus ndaj Ukrainës ka vënë në provë aftësinë e zotit Biden për t’iu përgjigjur me shpejtësi ngjarjeve pa dërguar forca amerikane në betejë. Kriza e ka detyruar presidentin të rishkruajë fjalimin për t’u përqëndruar në bashkimin e amerikanëve rreth një përpjekjeje globale për të ndëshkuar Moskën dhe për të mbështetur Kievin.

Në fjalimin e tij të së martës në mbrëmje Presidenti Biden nënvizoi vendosmërinë e një aleance perëndimore të rigjallëruar rishtazi, që ka punuar për të riarmatosur ushtrinë ukrainase dhe për të gjymtuar ekonominë ruse përmes sanksionesh. Ai bëri një paralajmërim të fortë kur tha se agresioni i Presidentit rus Putin nuk do të kufizohej vetëm në Ukrainë.

“Gjatë gjithë historisë sonë ne kemi marrë këtë mësim – kur diktatorët nuk paguajnë një çmim për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos. Ata (dikatorët) vazhdojnë të bëjnë përpara. Dhe kostot dhe kërcënimet për Amerikën dhe botën vazhdojnë të rriten. Lufta e Putinit ishte e paramenduar dhe e paprovokuar. Ai refuzoi përpjekjet për diplomaci. Ai mendoi se Perëndimi dhe NATO nuk do të përgjigjeshin. Dhe, ai mendoi se mund të na ndante në shtëpi tonë. Putini e kishte gabim. Ne ishim gati”.

Presidenti Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara po ndjekin shembullin e Kanadasë dhe Bashkimin Evropian në ndalimin e avionëve rusë që të fluturojnë në hapësirën e saj ajrore. Ai tha gjithashtu se Departamenti i Drejtësisë po krijonte një grup pune për të zbuluar krimet e oligarkëve rusë, të cilët ai i quajti “udhëheqës të korruptuar që kanë nxjerrë miliarda dollarë nga një regjim i dhunshëm”.

“Ne do t’u vihemi pas përfitimeve tuaja të paligjshme”, tha ai, duke shtuar se aleatët e SHBA-së dhe evropianëve ishin vënë pas jahteve, apartamenteve luksoze dhe avionëve privatë të oligarkëve rusë.

“Putini mund ta rrethojë Kievin me tanke, por ai kurrë nuk do të fitojë zemrat dhe shpirtrat e popullit ukrainas”, tha Presidenti Biden. “Ai kurrë nuk do ta shuajë dashurinë e tyre për lirinë. Ai kurrë nuk do ta dobësojë vendosmërinë e botës së lirë”.

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojmë popullin ukrainas të mbrojë vendin si dhe të lehtësojë vuajtjet e tyre, duke nënvizuar gjithashtu një moment.

“Më lejoni të jem i qartë, forcat tona nuk janë të angazhuara dhe nuk do të përfshihen në konflikt me forcat ruse në Ukrainë. Forcat tona nuk do të shkojnë në Evropë për të luftuar në Ukrainë, por për të mbrojtur aleatët tanë të NATO-s, në rast se Putini vendos të vazhdojë të lëvizë drejt perëndimit. Për këtë qëllim ne kemi mobilizuar forcat tokësore amerikane, skuadriljet ajrore dhe anijet, për të mbrojtur vendet e NATO-s, përfshirë Poloninë, Rumaninë, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë. Siç e kam bërë të qartë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të vendeve të NATO-s me energjinë e plotë të fuqisë sonë kolektive”.

Nga ana tjetër kundërshtarët më të ashpër në vend të Presidentit Biden nuk i kanë kursyer kritikat ndaj tij. Ish-Presidenti Donald Trump tha të martën se aktualisht në Ukrainë nuk duhet të kishte luftë, duke shtuar se është e tmerrshme për njerëzimin që “Biden-i, NATO dhe Perëndimi kanë dështuar kaq keq duke e lejuar atë të fillojë”.

Guvernatorja e Ajouas, Kim Reynolds, e zgjedhur për të dhënë përgjigjen republikane, tha se fjalimi i Presidentit Biden erdhi si një ‘shpërthim’ nga e kaluara me inflacionin në rritje, krimin në rritje dhe një Rusi të ringjallur, duke e bërë atë të ndihet më shumë si vitet 1980.

“Para se të bënte betimin, presidenti tha se donte – citoj – ta bënte Amerikën të respektohej përsëri në mbarë botën dhe të na bashkonte. Ai ka dështuar në të dyja frontet”, tha ajo.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 tetor 2022 - Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese shqyrton nominimet e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me përmbushjen e kushteve të parapara me Kushtetutë dhe Ligj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 9:00)

- Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Caritas Zviceran në Kosovë lansojn thirrjen “Projektet Investuese të Diasporës” në kuadër të projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë – MARDI”. (Ndërtesën Qeverisë, salla P38, ora 9:30)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi mban konferencë për medie lidhur me qëndrimet dhe vlerësimet për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi. (Holli i Kuvendit të Kosovë, ora 10:00)

- Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë publikojnë përmbledhjen e politikave 'Dispozitat për koston e lejes së lindjes, atësisë dhe pushimit prindëror në Ligjin e Punës', të shkruar nga Dita Dobranja në emër të RrGK-së. (Hotel Sirus, ora 10:00)

- OJQ Aktiv organizon prezantimin e “Udhëzuesin për verifikimin bazë të informacionit mediatic” i cili është i dedikuar kryesisht për komunitetin serb të Kosovës. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitovicën e Veriut, ora 11:00)

- Sekretari Gjeneral i FIBA Andreas Zagklis takohet me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku. (Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës, ora 11:00)