23 Shtator 2021

Presidenti Biden njeh mizoritë ndaj armenëve si gjenocid

Washington, 24 prill - Presidenti amerikan Joe Biden tha të shtunën se masakrat e vitit 1915 ndaj armenëve në Perandoria Osmane përbëjnë gjenocid, një deklaratë historike që nxiti zemërimin e Turqisë e që pritet të përkeqësojë më tej lidhjet e dobëta mes dy vendeve aleatë në NATO.

Masa kryesisht simbolike, e cila shënon një shkëputje nga disa dekada të një gjuhë të peshuar me kujdes nga Shtëpia e Bardhë, ka të ngjarë të festohet nga diaspora armene në Shtetet e Bashkuara, por ajo vjen në një kohë kur Ankaraja dhe Uashingtoni kanë mosmarrëveshje të thella politike për një mori çështjesh.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu tha se Turqia "e hedh poshtë plotësisht" vendimin e SHBA-së për të cilin ai tha se bazohej "vetëm në populizëm".

Mesazhi i Presidentit Biden u prit me "entuziazëm të madh" nga populli armen dhe armenët në të gjithë botën, shkruante Kryeministri Armen Nikoll Pashinyan në një letër drejtuar Presidentit amerikan Joe Biden.

Në deklaratën e tij, Presidenti Biden tha se populli amerikan nderon "të gjithë ata armenë që u vranë në gjenocidin që nisi si sot 106 vite më parë".

"Për dekada të tëra emigrantët armenë kanë pasuruar Shtetet e Bashkuara në mënyra nga më të panumërtat, por ata kurrë nuk e kanë harruar historinë tragjike. Ne e nderojmë historinë e tyre, e shohim atë dhimbje dhe e njohim historinë. E bëjmë këtë jo për të hedhur fajin, por për t’u siguruar që ajo që ndodhi të mos përsëritet më kurrë", tha Presidenti Biden.

Në komentet pasuese që duket se kërkuan të zbusin goditjen ndaj Ankarasë, një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve se Uashingtoni inkurajon Armeninë dhe Turqinë të ndjekin rrugën e pajtimit dhe se vazhdon ta shikojë Ankaranë si një aleat kritik të NATO-s.

Për dekada masat që njohin gjenocidin armen kishin ngecur në Kongres dhe presidentët amerikan janë përmbajtur ta quajnë atë të tillë, nxitur nga shqetësimet në lidhje me marrëdhëniet me Turqinë si dhe lobimin e fortë të Ankarasë.

Turqia ka pranuar se shumë armenë që kanë jetuar gjatë kohës së Perandorisë Osmane u vranë në përleshje me forcat osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, por kundërshton shifrat dhe mohon që vrasjet të kenë qenë sistematike dhe se përbëjnë gjenocid.

Të dhënat historike

Pamjet e rralla nga viti 1923 të publikuara nga Cineteca e Bolonjës tregojnë të mbijetuarit e dëbimit dhe maskrave masive të armenëve nga Perandoria Osmane në 1915 dhe 1916. Disa nga filmimet tregojnë anije të mbushura me fëmijë në Turqi dhe vargane refugjatësh që përshkojnë rrugët. Armenët thonë se deri në 1.5 milion njerëz u vranë gjatë Luftës së Parë Botërore ndërsa Perandoria Osmane u shpërbë, një pretendim i mbështetur nga rreth 30 vende.

Turqia, e cila u ngrit nga hiri i Perandorisë Osmane në vitet 1920, ende refuzon me forcë klasifikimin si genocid, duke thënë se 300 mijë deri në 500 mijë armenë dhe të paktën po aq turq vdiqën në luftime kur armenët u ngritën kundër sundimtarëve të tyre osmanë.

Mizoritë përkujtohen në Armeni dhe në komunitetet armene në të gjithë botën çdo 24 prill.

Këtë javë, më shumë se 100 ligjvënës amerikanë nga të dy anët e spektrit politik i dërguan një letër Presidentit Biden duke i kërkuar të përdorë në veçanti fjalën "genocid" gjatë aktiviteteve përkujtimore. Ligjvënësi demokrat Brad Sherman i Kalifornisë ka kohë që mbështet njohjen e genocidit.

“Mohimi i genocidit është akti i fundit i një genocidi. Së pari shfaroset një popull, pastaj përpiqen të zhdukin kujtesën e shfarosjes. Është hapi i parë për genocidin e ardhshëm”, thotë Ligjvënësi Sherman.

Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Cavusoglu paralajmëroi administratën e Presidentit Biden se njohja e genocidit do të "dëmtojë" lidhjet e Shteteve të Bashkuara me Ankaranë. I pyetur në lidhje me gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Turqia është një aleat me vlerë në NATO.

"Si miq, si aleatë, kur kemi mosmarrëveshje, ne i ngremë ato, nuk i mbulojmë", tha zoti Price.

Analistët thonë se Presidenti Biden ka më shumë të ngjarë se ish-Presidenti Donald Trump të bëjë përcaktimin e genocidit, për shkak të raportit miqësor të ish-Presidentit Trump me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, si dhe më shumë të ngjarë se presidentët e mëparshëm demokratë.

"Ndryshe nga administrata e mëparshme, nuk ka një marrëdhënie personale midis presidentit dhe udhëheqësit turk, Erdogan. Gjatë fushatës, presidenti bëri disa komente të ashpra për autokratët, duke iu referuar udhëheqësit turk", thotë Hrach Gregorian, nga Universiteti Amerikan.

Zoti Gregorian i tha Zërit të Amerikës se mund të ketë dëme afatshkurtra për marrëdhënien SHBA-Turqi nëse ka një njohje të genocidit, por ai nuk shqetësohet për dëmtime të qëndrueshme.

“Mendoj se do të digjen disa ura; kjo është simbolikisht e rëndësishme për të dy, sigurisht për Ankaranë, nëse jo më pak për Uashingtonin. Por ju e dini, në marrëdhëniet ndërkombëtare urat digjen dhe rindërtohen, sepse shtetet veprojnë sipas interesave të tyre kombëtare", thotë zoti Gregorian.

Ekspertja për genocidin Anahit Khosroeva ndihmoi për një letër nga historianët armenë drejtuar Presidentit Biden, ku kërkohet që ai të përdorte fjalën "genocid" dhe ku paralajmërohet se numri i të mbijetuarve të mizorive po zvogëlohet.

“Tani kemi shumë të mbijetuar nga genocidi ndaj armenëve, por nga viti në vit, ata do të bëhen gjithnjë e më pak. Por, tani ata e mbajnë mend dhe kërkojnë drejtësi, sepse deri më tani Turqia [ka] një politikë mohimi, e cila vazhdon deri më sot", thotë zonja Khosroeva.

Zonja Khosrova ra dakord me ekspertë të tjerë të genocidit se njohja zyrtare ndihmon për të parandaluar mizoritë në të ardhmen kundër minoriteteve etnike dhe fetare.

/voa/

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Shtator 2021 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 10:00)

- Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili do të vizitoj Kompaninë Pastrimi në Prishtinë ku do të mbaj edhe një Konferencë për media në hapësirën e kësaj kompanie. (Kompania Pastrimi në Emshir pas stacionit të autobusëve, ora 11:30)

- Partia Socialdemokrate do të dorëzoj kallëzim penal në Prokurori. (Ndërtesa e Prokurorisë në lagjen Veternik, ora 13:00)

- Forumi i Gruas së Nismës Socialdemokrate në Malishevë mban takim elektoral, ku i pranishëm do të jetë kryetari Nismës, Fatmir Limaj dhe kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Ambienti i jashtëm i shkollës fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, ora 14:00)

- Dhomat e Specializuara të Kosovës organizojnë informimin javore  në të cilin do  të  japin  një  informacion  të  përditësuar  mbi zhvillimet  e  fundit  lidhur  me  procedurat  gjyqësore  dhe  veprimtaritë  e  tjera  publike  të  gjykatës. (Online, ora 14:30)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci organizon ngjarjen lansuese të projektit: Promovimi i Zhvillimit Ekonomik Rajonal përmes Akademisë se Ndërmarrësisë. (Hotel Sirius, ora 16:00)

- Mbahet ceremonia e  hapjes së Kongresit te Parë Klinik të Kolegjit te Kirurgëve të Kosovës organizuar në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 17:00)