29 Mars 2024

Polemika të ashpra në KS për gjendjen në Mitrovicë

New York, 7 korrik - Përfaqësues të Serbisë dhe Kosovës shkëmbyen sot polemika të ashpra në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me një incident në Mitrovicën veriore më 2 korrik, në të cilën një bombë e hedhur në mesin e një grupi demonstruesisht serbë la të vrarë një person.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i cili kishte kërkuar mbajtjen e seancës së ngutshme të Këshillit të Sigurimit, kërcënoi se Beogradi do të rishikojë marrëdhëniet me praninë ndërkombëtare në Kosovë. Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni i bëri thirrje Beogradit të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendit të tij.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i quajti incidentet në Mitrovicën veriore akte destabilizuese të Prishtinës.


Presidenti serb tha se Beogradi nuk ka zgjidhje tjetër veçse të rishikojë marrëdhëniet e tij me praninë ndërkombëtare në Kosovë nëqoftëse faktorët ndërkombëtarë, siç u shpreh ai, nuk i mohojnë mbështetje të mëtejshme Prishtinës për këto akte. Ai kritikoi gjithashtu Zyrën e Përfaqësuesit Civil ndërkombëtar Peter Faith, e cila, sipas presidentit Tadiç,  ka imponuar një regjim të paligjshëm dhe të padëshirueshëm në pjesën veriore të Kosovës.

"Këto akte ishin të qëllimshme për të rritur tensionet ndër-etnike dhe për të sabotuar rrugën e paqes. Kjo ishte një tjetër pasojë shkatërruese e një plani të mbrapsht të sponsorizuar pjesërisht nga e ashtuquatjura Zyrë Civile Ndërkombëtare e drejtuar nga Peter Feith për të imponuar në mënyrë të njëanështme një regjim të paligjshëm dhe të padëshiruar në atë pjesë të vendit", tha zoti Tadiç.

Qeveria e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të zbatojë në Kosovën veriore një plan integrimi, i cili është hedhur poshtë nga Beogradi. Protesta serbe e 2 korrikut drejtohej kundër hapjes nga qeveria e Kosovës të një zyre të regjistrimit civil në Mitrovicën e veriut. Presidenti Tadiç përsëriti se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës por se ajo nuk do të heqë dorë nga kërkimi për një zgjidhje kompromisi.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, nuk reagoi lidhur me aspektet konkrete të incidenteve në Mitrovicën veriore, duke thënë se kjo çështje është tani në dorë të hetuesve për ta sqaruar dhe se ai nuk do të nxitojë që të japë një gjykim. Por zoti Hyseni reagoi ndaj komenteve që Presidenti i Serbisë bëri në seancë lidhur me gjendjen në Mitrovicën e veriut.

Ai tha se do t'i kërkonte Këshillit të Sigurimit të ndihmojë për të shtrirë sovranitetin e qeverisë së Kosovës në krejt territorin e saj. Ministri Hyseni tha se zyra e qeverisë së Kosovës për regjistrimin civil në veri të Mitrovicës nuk përbën asnjë kërcënim. Ai i bëri thirrje Beogradit të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës dhe t'i lerë të qetë serbët e Kosovës, të cilët, sipas tij, gjithnjë e më tepër po mbështesin institucionet e saj.

"I bëj thirrje presidentit Tadiç, për hir të vetë serbëve të Kosovës lërini ata të qetë. Na lini të punojmë me ta për të mirën e tyre dhe flisni me ne si autoritete të qeverisë së Kosovës në aq shumë çështje praktike që nga njëra anë do të ndihmojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe nga ana tjetër do të kenë një ndikim të rëndësishëm në mirëqënien e komunitetit serb në Kosovë".

Ndërkohë, zëvendës shefi i misionit amerikan në Kombet e Bashkuara Alexander Wolff, e quajti ngjarjen e 2 korrikut në Mitrovicën veriore një akt kriminal të izoluar dhe jo një akt të planifikuar terrorist. Ai bëri thirrje për një hetim të mëtejshëm të incidentit nga ana e autoriteteve. Zoti Wolff tha se Shtetet e Bashkuara nuk mendojnë se një akt i izoluar kriminal justifikon thirrjen e një takimi të ngutshëm të Këshillit të Sigurimit.

"Nëse diskutohet për këtë ngjarje atëhere duhet të flitet edhe për kërcënimet dhe frikësimet kundër banorëve serbë të Kosovës si Petar Miletiç, i cili u qëllua me armë zjarri më 5 korrik dhe siç thuhet u akuzua si tradhtar nga autori i sulmit", tha përfaqësuesi amerikan.

Nëse duhet të dënojmë provokimet, tha zëvendësambasadori amerikan, atëhere duhet të dënojmë edhe provokimin e zyrtarit të lartë të qeverisë serbe i cili e quan bashkëfajtor të terroristëve shqiptarë çdo serb të Kosovës që mbështet qeverinë e Kosovës. Zoti Wolff tha se vendimi i qeverisë së Kosovës për të hapur Zyrën e Shërbimit për Qytetarët në veri ishte i drejtë dhe që përputhet me kompetencat si një shtet i pavarur dhe sovran i njohur nga shumë vende të përfaqësuara në Këshillin e Sigurimit.

Përpara mbylljes së takimit në Këshillin e Sigurimit, ndërkohë që ministri i jashtëm i Kosovës Hyseni replikonte, Presidenti Tadiç dhe ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç u larguan nga salla.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)