24 Korrik 2021

PD: Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Rusia po i fryjnë përçarjes mes shqiptarëve

Prishtinë, 15 nëntor - Partia Demokratike e Shqipërisë (PD)shpreh keqardhjen që deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bekim Haxhiu i është bashkuar taktikave së mashtrimit dhe fabrikimeve të Edi Ramës, duke u bërë kështu pjesë e sulmeve të ulta e të rreme ndaj opozitës në Shqipëri.

"Sulmet politike të Edi Ramës me deklarata të fabrikuara nuk janë kundër Lulzim Bashës, por kundër shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri.''

''Kreu i opozitës shqiptare është nderuar dhe do të vazhdojë të nderohet në Kosovë si një ndër shqiptarët që ka ndihmuar Kosovën në çastet më kritike të saj dhe ka bërë gjithçka për pavarësinë e saj", thekson PD.

Të vetmit që flasin sot për shtëpi të verdhë dhe që i fryjnë përçarjes mes shqiptarëve sipas PD-së, janë Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Ministria e Jashtme e Federatës Ruse.

Duke u nisur nga deklaratat e deputetit Bekim Haxhiu në Klan Kosova, Partia Demokratike informon se Lulzim Basha, në asnjë ditë të punës së tij në UNMIK, nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë fakt e ka konfirmuar të shtunën për RTV Ora  edhe ish-kryeprokurori i EULEX, Williamson

''Duke dashur të kthejë në vëmendjen mbarëbotërore akuzat ndaj UÇK-së me shtëpinë e verdhë, fillimisht Edi Rama akuzoi Lulzim Bashën si pjesëmarrës, dhe më pas, me të njëjtat mekanizma mediatikë, e përgënjeshtroi vetveten duke thënë se ishte dikush tjetër. Është fakt se të ashtuquajturën shtëpinë e verdhë, veç Edi Rames dhe MPJ së Rusisë, sot nuk e përmend askush, sepse çdo hetim ndërkombëtar e ka faktuar si trillim'', konsideron PD.

Më pas, Edi Rama sipas PD-së manipuloi një qytetar për të thënë se kaseta e masakrës së Krushës së Madhe ishte zhdukur nga Lulzim Basha.

Publikimet e medias prestigjioze britanike BBC e hedhin poshtë këtë mashtrim, duke treguar se personi në fjalë ua kishte dorëzuar atyre kasetën.

Ky mashtrim u përgenjeshtrua po kështu nga ish-kryeprokurori i EULEX, Williamson, i cili deklaroi se masakra  e Krushës së Madhe u hetua plotësisht dhe ishte një nga akuzat kryesore në dosjen e aktakuzës për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit.

Pasi dështoi në këto akuza, Edi Rama sipas PD-së po përdor deputetin e PDK Haxhiu për mashtrimin e rradhës.

''Deklaratat e fabrikuara, si ato të deputetit Bekim Haxhiu apo të tjera në Tiranë dhe në Prishtinë nuk kanë asnjë të vërtetë. Ato bëhen për llogaritë elektorale të Edi Ramës, duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare'', pohon me tutje PD.

PD konsideron se në vend që të fabrikojë deklarata të rreme kundër Lulzim Bashës, Edi Rama duhet t’u japë llogari shqiptarëve të Kosovës pse si Kryeministër i Shqipërisë dhe si Kryetar i OSBE-së po hesht ndaj kërcënimeve për luftë si në Nagorni-Karabak të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç apo për kërcënimin e Ivica Daçiç ndaj atyre që jepnin informacion mbi varrezat masive të shqiptarëve të zhdukur, të cilat ende gjenden sot në Serbi.

"Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve të Kosovës pse si Kryetar i OSBE-së nuk bëri asgjë për të kërkuar mision faktmbledhës për krimet serbe në Kosovë si dhe për shpopullimin e Luginës së Preshevës.''

''Këto janë fakte. Gjithçka tjetër, e ngritur dhe e nxitur prej tij, është luftë antikombëtare për pushtet'', ka deklaruar në fund PD.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Korrik 2021

- Demokracia në Veprim mban konferencën për media, ku do të publikohet një vlerësim ex-ante i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit 2021, që do të shërbej si dokument avokues për t’a avancuar procesin zgjedhor të 17 tetorit.  (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)  

- Kandidati për kryetar të komunës së Pejës, Rrustem Berisha, mban konferencë për medie. (Në qendër të qytetit në Pejë, para Selisë së AAK-së, ora 12:00)

- Në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Kulturës dhe Turizmit në Deçan” hapet panairi veror në qendër të qytetit, ku do të marrin pjesë me prezantimin e produkteve të tyre një pjesë e madhe e qyteteve të Kosovës po ashtu komunat: Ulqin , Shkodër , Bajram Curri etj. (Qendra e qytetit te Deçanit, ora 16:00)