27 Korrik 2021

Osmani: Faza e re e dialogut të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë

Antali, 17 qershor - Gjatë qëndrimit në Turqi, në margjinat e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borell, me të cilin bisedoi për raportet Kosovë-BE si dhe për dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja.

“Lidershipi i ri i vendit ka prioritet reformat e nevojshme për ta çuar përpara procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian dhe në NATO."

"Ne kemi treguar gatishmëri të marrim pjesë në dialog, por në një proces të përgatitur mirë, i cili do të rezultojë me marrëveshje përfundimtare për njohjen e ndërsjellë dhe do ta respektojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, tha Presidentja Osmani.  

“Faza e re e dialogut, në të cilën po hyjmë duhet të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë të palëve dhe të sigurojë se do t’i përfshijë çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve tanë”, ka potencuar Presidentja Osmani.  

Sipas saj, ofrimi i informatave për personat e zhdukur me dhunë nga ana e Serbisë duhet të trajtohet shumë seriozisht, edhe për të treguar përkushtimin e shtetit serb ndaj synimeve të dialogut.  

Po ashtu, Presidentja theksoi se Serbia nuk ka zbatuar rreth 2/3 e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Për më tepër, ajo shtoi se diskutimet për ndryshim territoresh janë të rrezikshme, sepse mund ta destabilizojnë tërë rajonin.  

Presidentja ia shprehu edhe një herë z. Borell brengën e qytetarëve të Kosovës për zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit të vendit, por edhe të rajonit, në Bashkimin Evropian.  

Sipas saj, Kosova ka bërë përparim të dukshëm, duke i plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së ndaj nesh, prandaj është momenti që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet e dhëna, t’i liberalizojë vizat për qytetarët tanë, si dhe ta përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve të rajonit që plotësojnë kriteret në strukturat e BE-së, ngase kështu përforcohet edhe paqja dhe stabiliteti në rajon.  

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, z. Borell, ndërkaq, e njoftoi Presidenten Osmani me përgatitjet e BE-së për procesin e dialogut  dhe shprehu besimin se procesi i nisur do të vazhdojë, për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme mes dy vendeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Korrik 2021

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 9:45)

- Policia e Republikës së Kosovës organizon ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore të zyrtarëve policorë, e cila iu dedikohet zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës “Heronjve të Kosovës”. (Hapësira e jashtme para objektit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ora 10:00)  

- Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)  

- Instituti për Politika Zhvillimore mban konferencën për medie lidhur me përmbylljen e projektit “Barometri i Rimëkëmbjes – për transparencë dhe llogaridhënie” dhe prezantimin e raportit përfundimtar të zbatimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – Covid-19. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të performances “Transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave jo-qeveritare”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takoht me kryetarët e Odave të profesionistëve shëndetësor për të diiskutuar për punën dhe sfidat e Odave të profesionistëve shëndetësor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri raporton para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)  

- Nën përkujdesin e drejtpëdrejt të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shënohet 231-të i themelimit të Teqesë Bektashiane të Gjakovës. (Teqa Bektashiane në Gjakovë, ora 11:00)

- Misioni i OSBE-së në Kosovë do ta prezantojë edicionin e pestë të Raportit vlerësues të të drejtave të komuniteteve. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari raporton para Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me nivelin e zbatimit të ligjit për shoqëritë tregtare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)  

- Organizohet hapja solemne e Dekra Akademie në Gjilan e cila ka hapur dyert e saj për infermierët e licencuar që duan të punojnë në Gjermani. (Tek Rruga e Gjinollëve, nr.83, Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë  shqyrton Projektligjin në parim për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve, Projektligjin për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla 303, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës s Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301 ora 15:00)