28 Mars 2024

OKB përjashton Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

New York, 7 prill - Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pezulloi të enjten Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në përgjigje të njoftimeve për "shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut" nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë.

Projekt-rezoluta e propozuar nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, u miratua me 93 vota pro, ndërsa 24 vende votuan kundër dhe 58 vende abstenuan. Një shumicë prej dy të tretash votash pro të anëtarëve që votuan - abstenimet nuk llogariten - ishte e nevojshme për të pezulluar Rusinë nga këshilli prej 47 anëtarësh.

Pezullimet nga Këshilli janë të rralla. Libia u pezullua në vitin 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të udhëheqësit të atëhershëm Muammar Gaddafi.

Rezoluta e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së prej 193 anëtarësh shpreh "shqetësim të madh për krizën e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Ukrainë", veçanërisht për njoftimet për abuzime të të drejtave nga Rusia.

Rusia kishte paralajmëruar vendet anëtare se një votë pro ose abstenim do të shihej si një "gjest jomiqësor" me pasoja për marrëdhëniet dypalëshe, sipas një komenti të parë nga agjencia Reuters.

Rusia ishte në vitin e dytë të mandatit tre-vjeçar në këshillin me qendër në Gjenevë, i cili nuk mund të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme. Megjithatë, vendimet e tij dërgojnë mesazhe të rëndësishme politike dhe mund të autorizojnë hetime.

Moska është një nga anëtarët më të zëshëm në këshill dhe pezullimi i saj e ndalon atë të flasë dhe të votojë, thonë zyrtarët, megjithëse diplomatët e saj mund të marrin ende pjesë në debate.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës e përshëndeti vendimin e Asamblesë së Përgjithshme për të pezulluar Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.

"Kriminelët e luftës nuk kanë vend në organet e OKB-së që synojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Falënderoj të gjitha vendet anëtare që mbështetën rezolutën e OKB-së dhe zgjodhën anën e duhur të historisë," shkruante në Twitter Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba.

Nga Brukseli ku foli pas takimit të NATO-s, edhe Sekretari amerikan i Shtetit e përshëndeti vendimin.

"Një vend që po kryen shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut nuk duhet të ulet në një organ, detyra e të cilit është të mbrojë ato të drejta. Sot, u ndreq diçka e gabuar", tha ai.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar dy rezoluta që denoncojnë Rusinë me 141 dhe 140 vota pro respektivisht. Moska thotë se po kryen një "operacion special" për çmilitarizimin e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara kishin njoftuar se do të kërkonin pezullimin e Rusisë pasi Ukraina akuzoi trupat ruse për vrasjen e qindra civilëve në qytetin Buça.

Rusia mohon të ketë sulmuar civilët në Ukrainë

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)