23 Shtator 2021

Njohja e pavarësisë së Kosovës i kontribuon paqes dhe sigurisë në rajon

Athinë, 13 korrik - Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet bilaterale për shkak të lidhjeve të gjata historike dhe qëllimit të përbashkët për një të ardhme më të mirë në Ballkan, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në Athinë.

Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti tha se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në rajon.

Kryeministri theksoi edhe rëndësinë që ka përkrahja e shtetit grek për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Jashtëm grek tha se duke pasur parasysh historinë dhe gjeografinë e përbashkët të rajonit Greqia është shumë e interesuar të forcojë marrëdhëniet bilaterale me Kosovën.

Ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe për investime të reja në Kosovë.

Ministri Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për  liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet politike dhe projektet energjetike rajonale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Shtator 2021 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 10:00)

- Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili do të vizitoj Kompaninë Pastrimi në Prishtinë ku do të mbaj edhe një Konferencë për media në hapësirën e kësaj kompanie. (Kompania Pastrimi në Emshir pas stacionit të autobusëve, ora 11:30)

- Partia Socialdemokrate do të dorëzoj kallëzim penal në Prokurori. (Ndërtesa e Prokurorisë në lagjen Veternik, ora 13:00)

- Forumi i Gruas së Nismës Socialdemokrate në Malishevë mban takim elektoral, ku i pranishëm do të jetë kryetari Nismës, Fatmir Limaj dhe kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Ambienti i jashtëm i shkollës fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, ora 14:00)

- Dhomat e Specializuara të Kosovës organizojnë informimin javore  në të cilin do  të  japin  një  informacion  të  përditësuar  mbi zhvillimet  e  fundit  lidhur  me  procedurat  gjyqësore  dhe  veprimtaritë  e  tjera  publike  të  gjykatës. (Online, ora 14:30)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci organizon ngjarjen lansuese të projektit: Promovimi i Zhvillimit Ekonomik Rajonal përmes Akademisë se Ndërmarrësisë. (Hotel Sirius, ora 16:00)

- Mbahet ceremonia e  hapjes së Kongresit te Parë Klinik të Kolegjit te Kirurgëve të Kosovës organizuar në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 17:00)