29 Janar 2022

Nga 1 dhjetori Australia do t'i hapë kufijtë për të huajt me dy doza të vaksinës

Canberra, 23 nëntor - Kryeministri i Australisë, Scott Morrison tha se kufijtë ndërkombëtarë të vendit që janë të mbyllur që nga marsi i vitit 2020 në kuadër të luftës kundër COVID-19, do të hapen duke filluar nga 1 dhjetori për personat që posedojnë viza.

Morrison në konferencën për media në kryeqytetin Canberra tha se kanë lejuar që në fillim të muajit nëntor australianët me dy doza kundër COVID-19 të mund të udhëtojnë në vendet e huaja, ndërsa nga 1 dhjetori do të lejojnë hyrjen e të gjithë studentëve, mbajtësit e vizave të biznesit dhe migrantëve në Australi nëse janë vaksinuar plotësisht.

Ai e cilësoi si "një hap të rëndësishëm" hapjen e kufijve. "Kthimi i punëtorëve të kualifikuar dhe studentëve në Australi është një moment historik i rëndësishëm në rrugën tonë për t'u kthyer në normalitet", u shpreh ai.

Me këtë hap do të lejohet hyrja e turistëve të vaksinuar nga Koreja e Jugut dhe Japonia. Australia e cila ishte e mbyllur për gati 20 muaj, me rihapjen e kufijve ka ofruar 235 mijë viza, të cilët priten të hyjnë në vend gjatë muajve dhjetor dhe janar.

Personat që do të arrijnë në vend duhet të dorëzojnë tek autoritetet dokumentin që tregon vaksinim të plotë me njërën nga vaksinat e miratuara nga Administrata e Produkteve Terapeutike.

Gjithashtu personat duhet të sigurojnë teste negative PCR jo më të vjetra se 72 orë ndërsa kur do të arrijnë në vend t'i respektojnë rregullat e karantinës së shtetit.

Deri më tani 199.651 persona janë diagnostikuar me COVID-19 ndërsa 1.948 e kanë humbur jetën. Vendi ende ka 12.647 raste aktive. Sipas informacioneve përqindja e dy dozave të administruara në vend është 85.1 për qind kurse e tyre me një dozë 91.5 për qind.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 janar 2022

- Partia Socialdemokrate dhe Grupi Protestojë organiojnë protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike për të ruajtur profitin e interesat e KEDS e KESCO-s. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

- Nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Smajl Latifi behën homazhe dhe nderime për dëshmorin e kombit Sahit Krasniqi, te varrezat e dëshmorëve në Ratkoc. (Ratkoc, ora 14:00)

- Në kuadër të flakës së Janarit mbahet festivali i Kënges për fëmijë "Xixat e Flakës". (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 17:00)