25 Prill 2024

Ministrja Tahiri pritet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve

Washington, 13 korrik - Ministrja e Administratës Publike e Republikës së Kosovës, Znj. Edita Tahiri, u prit sot në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë me ç’rast u takua me Jeffrey Hovenier, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Juglindore.

Në këtë takim, temë qendrore e bisedës ishin progresi i përgjithshëm në Kosovë dhe sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova si shtet i ri, me theks të veçantë në projektet zhvillimore, reformat strukturore të administratës publike, si dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.

Ministrja Tahiri foli për rolin kyç që kanë luajtur SHBA-të për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, si dhe falënderoi administratën e Presidentit Obama për përkrahjen e vazhdueshme që SHBA-të po e japin në zhvillimin e Kosovës, si një shtet sovran dhe i pavarur.

Me këtë rast mministrja Tahiri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e përkushtuar në ndërtimin e një shteti demokratik dhe funksional, mbi parime të sundimit të ligjit, zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, garantimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët dhe komunitet dhe përmbushjen e standardeve për integrime në strukturat euro-atlantike.

“Koncepti shtetëror i Kosovës bazohet në të kuptuarit e sovranitetit si përgjegjësi. Ne kemi bërë përparime substanciale në konsolidimin e sovranitetit, duke bërë që të gjithë qytetarët të përfshihen në proceset e vendimeve të rëndësishme për shtetin”, tha ajo, duke shtuar se Kosova me maturi dhe koordinim të plotë me partnerë ndërkombëtarë, po e realizon strategjinë e integrimit të serbëve të pjesës veriore të vendit.

Znj. Edita Tahiri, më pas, shpalosi prioritet dhe të arriturat e Ministrisë së Administratës Publike, të cilën e drejton ajo, duke theksuar se prioritet është reformimi i administratës publike në Kosovë, i cili ka filluar dhe është në rrugë të mbarë, përmes së cilës synohet krijimi i një administrate të përgjegjshme ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Ajo më tej theksoi se MAP ndjek një filozofi moderne për administratë publike, të drejtuar kah qytetari, përmes programeve më të avancuara të qeverisjes elektronike, efikase, transparente dhe të paanshme, kontribuuese  në ndërtimin e  kësaj shtylle të shtetit. Përmes reformimit do të synojmë vazhdimisht edhe inkuadrimin e të rinjve në këto projekte, ngase rinia është potenciali më i madh që ka vendi dhe roli i tyre do të jetë krucial, në ndryshimet pozitive në Kosovë, tha ministrja Tahiri.

Duke vlerësuar lartë mënyrën e funksionimit të administratës publike të SHBA-ve, ministrja Edita Tahiri tha se traditat amerikane janë model i qeverisjes së mirë dhe të suksesshme dhe politikat shtet ndërtuese të Kosovës mbështeten në këto modele të

Sistemi i avancimit dhe sistemi i bazuar në merita për shërbyesit civil, ishte një nga pikat ku ministrja Tahiri vuri theksin dhe tha se implementimi i legjislacionit dhe arsimimi i gjeneratave të reja të shërbyesve civil përbëjnë prioritet strategjike të Qeverisë së Kosovës.

Drejtori për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Jeffrey Hovenier, tha se qeveria amerikane vlerëson lartë përparimet e gjithëmbarshme në Kosovë dhe është e përkushtuar për ta përkrahur fuqishëm zhvillimin e shtetit të  Kosovës. Politika amerikane ka qenë dhe mbetet konsekuente në mbështetje të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës dhe angazhimet tona përfshijnë drejtime strategjike për fuqizimin e pozicionit të Kosovës në planin ndërkombëtar dhe integrimin e plotë në institucionet ndërkombëtare, theksoi Hovenier.

Kosova ka perspektivë të qartë euroatlantike dhe do të jetë pjesë vitale e bashkësisë ndërkombëtare përfshirë anëtarësimin në OKB, tha ai.Hovenier po ashtu theksoi rëndësinë e rritjes së angazhimeve për ndërtimin e një shteti të suksesshëm, duke veçuar me këtë rast rolin e një administrate publike efektive dhe efikase, drejt realizimit të synimeve shtetërore të udhëheqjes së Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit në këtë takim u pajtuan se Republika e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë ka bërë hapa shumë pozitiv dhe një angazhim i tillë duhet të vazhdojë në të gjitha planet, në dobi të qytetarëve të vendit dhe në drejtim të sigurimit të një vendi të respektuar në bashkësinë ndërkombëtare.

Në këtë takim, ministrja Tahiri ishte e shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington  DC,  Avni Spahiu dhe këshilltarët politik të kabinetit, Dren Zeka dhe Arjeta Rexhaj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)