27 Shtator 2022

Ministrja Gërvalla pjesëmarrëse në takimin e "Kartës së Adriatikut"

New York, 22 shtator - Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë qëndrimit në Nju Jork, në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mori pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut 'US-Adriatic Charter' (A5), temë kryesore e të cilit ishin sfidat lokale dhe globale të sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Ministrja Gërvalla-Schwarz, theksoi qëndrimin e palëkundur të Republikës së Kosovës ndaj agresionit ushtarak rus në Ukrainë, vendosmërinë për zbatimin e sanksioneve ekonomike dhe masave të tjera të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe format e tjera të solidaritetit me popullin e Ukrainës, duke vënë në pah edhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vendeve të Ballkanit në çështjet jetike për sigurinë e rajonit.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, nënvizoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtyllë kryesore për paqen dhe stabilitetin edhe në Ballkanin Perëndimor. Ministrja gjatë takimit vuri në pah përkushtimin, përvojën dhe ekspertizën e thellë të ShBA-ve në rajon dhe nevojën për një prani të shtuar amerikane në të gjitha sferat dhe nivelet.

Mes tjerash ministrja Donika Gërvalla-Schwarz, BE-së i bëri thirrje që me më shumë vendosmëri të luftojë për vlerat dhe parimet, të cilat qëndrojnë në themelet e saj, vlera të cilat i ndan edhe shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ministrja kërkoi një vlerësim më të diferencuar të zhvillimeve në vendet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor si dhe mesazhe dhe konsekuenca të qarta për të gjithë ata që bien ndesh me përcaktimet e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
 
Ministrja Gërvalla-Schwarz, theksoi se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e „Kartës së Adriatikut", dhe përshëndeti përkrahjen e shprehur gjatë takimit nga shumica e të pranishmëve për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon.

Në këtë takim të drejtuar nga Republika e Malit të Zi, krahas ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Malit të Zi, Ranko Krivokapić, ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Grlić Radman, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Të pranishëm në takim ishin edhe këshilltari i Departamentit të Shtetit të ShBA-ve, Derek Chollet, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajçak dhe diplomatë nga Republika e Shqipërisë, Republika e Sllovenisë dhe nga Serbia.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022

 - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shënon Ditën Botërore të Turizmit, në bashkëpunim me Unionin e Turizmit të Kosovës dhe me përkrahjen e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Privat (PPSE). (Parku Arkeologjik Ulpiana, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)