28 Mars 2024

Meta: Kosova e pavarur ka krijuar një klimë të re për paqe në rajon

Dushanbe, 18 maj - Gjatë fjalës së tij në Sesionin e 37-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike mbajtur në Dushanbe, Taxhikistan, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe procesit të njohjeve të Republikës së Kosovës si dhe zhvillimeve të fundit në shtetin e ri.

Duke iu drejtuar homologëve të tij të vendeve anëtare të OKI-së, z. Meta e vlerësoi miratimin e Rezolutës “Mbi situatën në Kosovë”, si një dëshmi të qartë të solidaritetit dhe angazhimit të sinqertë të Organizatës së Konferencës Islamike në drejtim të vlerave të lirisë dhe progresit. Gjithashtu, z. Meta vuri në dukje zhvillimet thelbësore që kanë ndodhur në Kosovë në të gjitha drejtimet, duke veçuar konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Në këtë kuadër, ai theksoi pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhjet e suksesshme vendore si dhe rolin funksional të EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, që tashmë është njohur prej 68 vendeve. Gjithashtu, z. Meta vlerësoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe të gjithë fqinjëve të saj, me përjashtim të Serbisë, si një fakt jetësor të realitetit të tanishëm në Ballkan dhe si një domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Më poshtë, fjala e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta në Dushanbe, mbi situatën në Kosovë.

Në Sesionin tonë të 36-të në Damask, ne miratuam me konsensus  Rezolutën Nr. 12/36 Pol “ Mbi situatën në Kosovë” Kjo Rezolutë, së bashku me rezolutat dhe dokumentet e miratuara më parë, përbën një dëshmi të qartë të solidaritetit dhe angazhimit të sinqertë të Organizatës sonë ndaj vlerave të lirisë dhe progresit.

Gjatë kësaj periudhe kohore, Kosova ka qenë dëshmitare e zhvillimeve thelbësore drejt përparimit në të gjitha fushat. Institucionet demokratike dhe shteti i së drejtës janë drejt konsolidimit. Zgjedhjet e suksesshme vendore të 15 Nëntorit 2009, të parat në shtetin e ri e të pavarur të Kosovës, treguan se demokracia dhe shoqëria multietnike janë funksionale. Një arritje e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte rritja e pjesëmarrjes së Serbëve; kjo arritje u evidencua edhe në Raportin më të fundit mbi Kosovën, nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Komunitetet e pakicave e shohin dhe e ndjejnë gjithnjë e më shumë se Kosova është shteti i tyre dhe se e ardhmja e tyre lidhet me zhvillimin dhe konsolidimin e saj. Po kështu, bërja funksionale e Misionit të EULEKSIT në gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën përbën një garanci të shtuar për të ecur më tej në këtë rrugë të suksesshme. Pavarësia e Kosovës deri tani është njohur nga 68 vende të botës;

Kosova është gjithashtu anëtare me të drejta të plota e FMN-së dhe e Bankës Botërore; ajo është gjithashtu pjesëmarrëse aktive në shumë forume dhe nisma rajonale. Së shpejti priten njohje të reja; po kështu, Kosovën pritet ta pranojnë në gjirin e tyre   edhe institucione të tjera ekonomike dhe financiare me karakter rajonal dhe ndërkombëtar. Në terma reale, Kosova e pavarur ka krijuar një klimë të re, e cila rrezaton paqe dhe stabilitet në fushat e sigurisë, marrëdhënieve ndër - etnike dhe në fusha të tjera, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin tonë.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe gjithë vendeve të saj fqinjë, me përjashtim të Serbisë, përbën një dëshmi të qartë se ekzistenca e saj, si shtet i pavarur dhe sovran, tashmë është njohur dhe vlerësuar vetëm si një fakt jetësor i realitetit të tanishëm në Ballkan, por edhe si domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë e tij.

Shqipëria beson se miratimi i Projekt-Rezolutës mbi situatën në Kosovë gjatë këtij Sesioni do të jetë një sinjal i qartë dhe pozitiv si dhe një hap inkurajues përpara nga  Shtetet Anëtare të OKI-së, për zhvillimet e mëtejshme në Kosovë.

Sot ne  jetojmë në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Për realizmin e aspiratave tona të përbashkëta, për të mirën e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm, ne duhet të punojmë së bashku për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave tona të përbashkëta, për të patur një botë pa luftëra, për të zhvilluar dhe mbrojtur të drejtat njerëzore bazë, për të nxitur progresin social dhe standarde më të larta jetese në vendet tona. Për ne është e nevojshme të forcojmë unitetin dhe solidaritetin tonë, për një botë më të sigurt dhe më të begatë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)