18 Prill 2024

Më 26 korrik, BE diskuton për Kosovën

Bruksel, 18 korrik -  Vendet anëtare të BE-së, në mbledhjen e paralajmëruar për datën 26 korrik, do të përpiqen të formulojnë qëndrimin rreth mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin e pavarësisë së Kosovës, pohon sot e përditshmja e Beogradit, “Danas”, tani përkrahëse e qeverisë serbe.

Sipas kësaj gazete, burimet e informuara kanë thënë se formulimi i një qëndrimi unik të 27 vendeve nuk do të jetë shumë i lehtë.

 Diplomacitë e 22 anëtareve të BE-së, që angazhohen për sovranitetin e Prishtinës, por edhe disa nga ato që rreth kësaj çështjeje mbajnë anën e Beogradit, insistojnë që Serbia, veçmas deri sa të mos mbahet mbledhja e Këshillit të Ministrave, “të mos ndërmarrë hapa të ngutshëm”, shkruan “Danas”.

 Ata konsiderojnë se Beogradi, pasi GJND-ja ta bëjë publike mendimin këshillëdhënës më 22 korrik, duhet të presë harmonizimin brenda BE-së dhe rekomandimet që shefat e diplomacive të 27 vendeve europiane do të dërgojnë nga mbledhja katër ditë më vonë, më 26 korrik, citon burimet diplomatike kjo e përditshme e Beogradit.

Siç pohon “Danas”, bashkëbiseduesit nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës konfirmojnë se Perëndimi nuk dëshiron që Serbia, pas mendimit të GJND-së, t’i propozojë Asamblesë së Përgjithshme të KB-së rezolutën që do të hapte mundësinë për negociata të reja për statusin.

Çdo përpjekje e Serbisë që në nivel politik, në KB, të forcojë kundërshtimet ndaj pavarësisë, sidomos asaj që me shumicë votash në Asamblenë e Përgjithshme të ftohen Beogradi e Prishtina për negociata të reja mbi çështje statusore, do të interpretohej si sjellje e “padëshiruar”, përkatësisht si “konfrontim me 22 anëtare të BE-së”.

Në këtë rast përfundimisht do të ndodhte përputhja e “binarëve” të Kosovës dhe të Europës, më saktësisht kandidatura e Serbisë për anëtarësim në BE do të bllokohej, tërheqin vërejtjen diplomatët perëndimorë.


Siç theksojnë burimet e “Danasit”, ku një të ngjashme e ka botuar dje edhe portali i Brukselit WAZ.EUobserver, në radhët e anëtareve të BE-së, por edhe në institucionet qendrore të saj, para së gjithash në zyrën e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, druajnë se rihapja e temës së statusit të Kosovës në KB do ta vështirësonte më shumë vendosjen e politikës së jashtme të përbashkët europiane, që është një nga prioritetet e BE-së pas miratimit të Marrëveshjes së Lisbonës në fund të vitit të kaluar.

Debati rreth argumenteve juridike në favor ose kundër pavarësisë së Kosovës, i mbajtur në dhjetor të vitit 2009 në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, nxori në sipërfaqe dallime të mëdha brenda BE-së.

Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Holanda, Austria, Danimarka, Finlanda dhe Bullgaria ishin vendet që prezantuan argumente në favor të pavarësisë, kurse Spanja, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania ishin në grupin e vendeve që argumentuan se shpallja e pavarësisë ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Një rishqyrtim i statusit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të KB shihet si një rrezik tjetër që vendet anëtare të BE-së të tregohen të përçara kur është fjala për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“Nëse BE-ja nuk mund të jetë unike rreth Kosovës, që është pjesë e Europës dhe ku BE-ja në masë të madhe është e angazhuar ekonomikisht, politikisht dhe në misionin e sundimit të drejtësisë (EULEX), atëherë politika e jashtme e përbashkët në pjesën tjetër të botës do të jetë edhe më pak e besueshme”, citon WAZ.EUobserver një diplomat të lartë europian.

Nëse ndodh debati i Asamblesë së Përgjithshme të KB, shumica e vendeve të BE-së do të akuzonin Serbinë për rrezikimin e kredibilitetit të BE-së, anëtare e së cilës dëshiron të bëhet dhe pasojat do të reflektoheshin pikërisht në procesin e integrimit të saj europian.

Drejtori i Forumit Juridik, Vladimir Todoreviç citohet të jetë shprehur se “Serbia mund ta marrë mbështetjen e Asamblesë së Përgjithshme të KB, por shtrohet pyetja se si do ta marrin këtë partnerët tanë europianë. Në një të ardhme të afërt është reale të shtrohet në rend të ditës kërkesa për ndarjen e Kosovës ose shkëmbim territoresh, për çfarë po flitet jozyrtarisht”.

Sipas tij, para GJND-së sa i përket Kosovës argumenti më i fuqishëm i Serbisë nuk është ai juridik, por politik.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)