25 Prill 2024

Mbështetja e Shtëpisë së Bardhë, esenciale për Kosovën

Washington, 4 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitës zyrtare që është duke zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, ka nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e raporteve ekonomike në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Hoti iu është drejtuar mediave të pranishme në një konferencë për media, në të cilën ka dhënë detaje nga kjo marrëveshje.

Fjala e plotë e Kryeministrit Hoti:

Faleminderit shumë për prezencën tuaj. Sapo e nënshkruam marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, një marrëveshje që është hap i madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat marrëdhënie do të normalizohen me njohje reciproke në mes të dy vendeve.
 
Unë do të prezantoj para jush elementet kryesore të marrëveshjes, të cilën besoj tashmë e keni marrë, një marrëveshje që besoj është historike, në kuptimin e rëndësisë që ka, si hap drejt marrëveshjes finale. Një marrëveshje e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, nga e cila shtëpi kanë ardhur gjithmonë lajme vetëm të mira për Kosovën.

Në prezencë të Presidentit Trump dhe të Administratës së tij në Shtëpinë e Bardhë, pas një pune të gjatë që është bërë me Këshilltarin për Siguri Kombëtare dhe me stafin tjetër, Ambasadorin Grenell, dhe stafin tjetër të Administratës së Presidentit Trump, bashkë me kabinetin qeveritar, me përfaqësues të partive të koalicionit, me ministrat, me ambasadoren tonë në Washington, me komunitetin tonë të shkëlqyeshëm që e kemi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Janë dy çështje kryesore, dy pika kryesore të kësaj marrëveshjeje, sepse siç e dini marrëveshja është për normalizim të marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve si hap i parë drejt normalizimit të plotë dhe njohjes reciproke në mes të dy vendeve.

 E para janë: projektet e mëdha infrastrukturore, ashtu siç i kemi paralajmëruar para sa kohe, që përfshijnë autostradën Prishtinë-Merdar, që përfshin Hekurudhën Prishtinë – Merdar, që përfshin studimin e fizibilitetit për hekurudhë që e lidh Prishtinën me detin Adriatik, dhe mbështetje të madhe financiare për ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Gjithashtu, investimet në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë dhe ndërtimit të termocentralit me gaz dhe rrjetit shpërndarës të gazit në Kosovë.

Të gjitha këto marrëveshje kapin shumën mbi 1 miliard euro, financa të ofruara në dispozicion nga MCC, nga DFC, nga Banka Eksport Import e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, ka zotim të qartë të Presidentit Trump dhe Administratës së tij që të gjitha këto projekte të fillojnë së zbatuari brenda një viti. Ky është zotimi që e kemi marrë nga Administrata e Presidentit Trump.

Dhe e dyta, elementi i dytë qenësor i kësaj marrëveshjeje është njohja reciproke me shtetin e Izraelit. Unë sapo e kreva një telefonatë me kryeministrin Netanyahu, në prezencë të Presidentit Trump, e falënderova për gatishmërinë e shtetit të Izraelit për ta njohur Kosovën dhe u dakorduam që ne menjëherë të vendosim marrëdhënie diplomatike në mes të dy vendeve dhe ne nuk do të vonojmë në këtë drejtim, sapo të kthehemi në Prishtinë do të ndërmarrim të gjitha veprimet nevojshme që sa më parë Kosova të ketë Ambasadën dhe stafin diplomatik me kapacitete të plota në shtetin e Izraelit.

Mendoj që ky është një lajm i jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës., pas më shumë se dy apo tri viteve të një bllokade në njohje të reja në konsolidimin e shtetësisë në arenën ndërkombëtare.

Kjo mbështetje që vjen nga Shtëpia e Bardhë është esenciale për rrugëtimin tonë aty ku e kemi vendin në familjen e madhe euroatlantike, që është integrimi në BE, anëtarësimi në OKB, anëtarësimi në NATO dhe anëtarësimi i plotë në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Këto janë dy çështjet kryesore të kësaj marrëveshjeje. Sigurisht ka edhe elemente të tjera të marrëveshjes, të cilën ju e keni marrë, siç është funksionalizimi i pikës kufitare në Merdar, ku vendoset i gjithë stafi doganor dhe policor i Kosovës dhe i Serbisë. Gatishmëria jonë që të hyjmë në zonën minishengen që është promovuar para një viti nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga Serbia.

Mandej njohja e diplomave dhe çështja e certifikatave që i lëshojnë dy vendet në institucionet e tyre, në mënyrë që qytetarët ata që kryejnë arsimimin ose që kryejnë trajnimet të lëvizin më lirshëm sa i përket punësimit në të dy vendet.

Jemi pajtuar që të bëjmë një studim të fizibilitetit, pra, Departamenti për Energji i SHBA-së të bëjë një studim të fizibilitetit për liqenin e Ujmanit për mënyrën se si do të përdoret uji i këtij liqeni në të ardhmen.  

Sigurim në  ujitje dhe sigurim energjie, vetëm kaq, kjo është e vërteta sa i përket kësaj çështjeje. Dhe, ka çështje të tjera brenda marrëveshjes që ne kemi marrë zotime në përputhje me politikat që i ka SHBA-ja karshi rregullimit të tregut ta zëmë të telekomunikacionit ose të drejtat religjioze ose të drejtave të personave të caktuar në nivel botëror, në nivel të demokracive liberale siç është edhe Kosova.

Pra, këto janë çështjet kryesore. Kemi marrë zotim gjithashtu, na është kërkuar që për një vit ne të pauzojmë në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo për njohje të reja, por në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia është obliguar që për një vit të stopojë çfarëdo kampanje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për njohje të reja të Kosovës dhe vetë njohja sot nga Izraeli besoj që është shenjë e qartë e vendosmërisë së Presidentit Trump dhe Administratës së tij për të çuar përpara projektin final të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në familjen e madhe euroatlantike.

Pra, këto janë pikat kryesore të marrëveshjes. Unë dëshiroj ta falënderoj vërtet Administratën e Presidentit Trump dhe të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë proces, anëtarët e kabinetit, bashkëpunëtorët, ambasadoren këtu, komunitetin tonë për mbështetjen që na kanë dhënë gjatë gjithë këtij procesi.

E kam parasysh që gjatë këtyre ditëve dhe javëve nuk kemi qenë plotësisht të hapur dhe transparent me kërkesë sigurisht të ambasadorit Grenell dhe Administratës këtu në Shtëpinë e Bardhë që të përmbyllet fillimisht marrëveshja dhe mandej këtë marrëveshje ta prezantojmë para qytetarëve tanë në Kosovë në Serbi dhe në regjion.
 
Unë kam pritje të mëdha që këto projekte, ashtu si kam thënë gjithmonë do ta ndërrojnë peizazhin ekonomik në Kosovë dhe në regjion. Jam i bindur, projekti i hekurudhës, i autostradës, hekurudha pastaj që nxjerr në portin e Adriatikut, gazi që vjen nga Maqedonia e Veriut do ta bëjnë Kosovën brenda 3-5 vitesh qendër kryesore ose hap pjesën ku ndërlidhen të gjitha llojet e infrastrukturave në nivel të regjionit dhe  përtej saj.
 
Duhet ta shohim këtë marrëveshje si hap të madh drejt finalizimit të marrëveshjes finale me njohje reciproke.
 
I falënderoj liderët e partive politike në Kosovë, presidentin e vendit dhe të gjithë kryetarët e partive politike për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje nuk është vetëm e kësaj qeverie, është e popullit të Kosovës. Janë zotime të popullit të Kosovës, karshi popullit amerikan, karshi Presidentit Trump dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)