28 Mars 2024

Liberalizimi i vizave për tri vendet e Ballkanit hap panik në Europë

Bern, 3 mars - Gazeta e përditshme zvicerane “Blik”, e dyta për nga tirazhi në vend, në një shkrim të saj me titull “Po vijnë maqedonasit!”, të botuar këto ditë, vinte në dukje, midis të tjerave, se 150 000 shtetas të Maqedonisë kanë shkuar në vendet anëtare të zonës së Shengenit, midis tyre shumë edhe në Zvicër, që kur Bashkimi Europian hoqi, në fund të vitit të kaluar, barrierën e regjimit të vizave me këtë vend.

Sipas gazetës, dy të tretat e maqedonasve që tashmë janë larguar nga vendi, nuk planifikojnë të kthehen më. “Dhjetëra mijëra shtetas maqedonas, pas heqjes së regjimit të vizave, i kthyen kurrizin atdheut të tyre, duke marrë arratinë drejt vendeve të Europës Perëndimore”, shkruante, nga ana e saj, po këto ditë gazeta rajonale zvicerane “Basler cajtung”, duke vënë në dukje se heqja e vizave ka provokuar një lloj minimigrimi të shtetasve të këtij vendi ballkanik, sidomos të atyre me kombësi shqiptare nga pjesa perëndimore e tij (vendit), për më tepër që nga qytetet e saj (kësaj pjese) nisën çdo ditë, të paktën, pesë autobusë me drejtim për në vendet e Europës Perëndimore.

“Shumë njerëz po lënë vendin e tyre, duke qenë se atje nuk kanë asnjë perspektivë”, i deklaroi gazetës “Basler cajtuing” Xhani d’Amato, ekspert për migrimin pranë Universitetit të Noenburgut. Sipas tij, heqja e barrierës së vizave u dha mundësinë shumë të rinjve që të shkonin për herë të parë në Europën Perëndimore. Gazeta zvicerane “Reporter”, nga ana tjetër, vinte në dukje se shtetet më të preferuara për shtetasit e Maqedonisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor janë Belgjika, Gjermania, vendet skandinave dhe Zvicra.

Heqja e regjimit të vizave për në vendet e zonës së Shengenit lejon një qëndrim turistik prej 90 ditësh në 28 vendet e zonës së lartpërmendur, ndërkohë që, të paktën teorikisht, nuk lejohet punësimi, për të cilin kërkohet një leje e posaçme.

Media zvicerane vë në dukje se një numër i konsiderueshëm i imigrantëve të rinj që vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sapo shkelin në Zvicër, vihen në kërkim të punës. Kjo dukuri është sidomos e pranishme te të rinjtë, të cilët përpiqen me të gjitha mënyrat që ta shtyjnë qëndrimin prej 90 ditësh. Por, sikurse shkruajnë mediumet zvicerane, kjo dukuri është problematike për kantonët e vegjël zviceranë, të cilët kanë filluar të ankohen, sepse qysh tani po ndiejnë pasojat negative.

Mihael Shnajder, i ngarkuar me çështjet e migrimit në kantonin Glarus, përmend dy raste, kur dy gra të reja të huaja që kishin ardhur si mike te njerëzit e tyre, kishin filluar të punonin si bebi-siter (kujdestare fëmijësh) në familje zvicerane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)