25 Qershor 2022

Kryeministri Kurti takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Davos, 24 maj - Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.​

Kryeministri Kurti e uroi kryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi Abazoviq për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha.

Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët.

U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet.

U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve.
 
U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 qershor 2022 - Pishina e vetme e kryeqytetit hapë sezonin veror 2022. (Pishina në hyrje të parkut Gërmia, ora 10:00)

- Komisioni i Shëndetësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës - Dega Gjilan, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)  

- Rrjeti i OJQ-ve AVONET dhe komuniteti i biznesit në Komunën e Vitisë organizon konferencë për media lidhur me mosbashkëpunimin e Qeverisë lokale, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili ka ndikuar në ngecje të projekteve, neglizhencë, e mosadresim të tyre. (Përballë Shtëpisë së Kulturës "Gursel e Bajram Sylejmani" në Viti, ora 12:30)