06 Tetor 2022

Kryeministri Kurti rithekson domosdoshmërinë e hapjes së arkivave në Serbi

Mynih, 20 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, diskutoi për sfidat dhe perspektivat e drejtësisë tranzicionale, i ftuar në panelin e diskutimit në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë (Munich Security Conference).

"Na duhet drejtësia tranzicionale që të mund të shërohet shoqëria, dhe që të kemi mundësi për të ecur së bashku përpara, drejt së ardhmes", tha kryeministri Kurti.

Në të njëjtën kohë sipas tij duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre.

Në rastin e Kosovës, drejtësinë tranzicionale e kemi prioritet, theksoi kryeministri Kurti, duke përmendur disa nga nismat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si ajo për themelimin e  Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, themelimin e Komisionit për hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Kryeministri Kurti foli për çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe familjet që jetojnë në dhembje e ankth, duke mos ditur për fatin e vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Ai ritheksoi domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.

Duke përmendur Masakrën e Reçakut, kryeministri theksoi se e kaluara nuk ka kaluar ende, përderisa krimet e luftës dhe gjenocidi vazhdojnë të mohohen.

Kryeministri Kurti diskutoi në panelin e titulluar "Humbur në tranzicion: Sfidat dhe perspektivat e llogaridhënies dhe drejtësisë tranzicionale" (Lost in Transition: Challenges and Prospects of Accountability and Transitional Justice), që kishte për moderator David Miliband, President dhe Kryeshef Ekzekutiv i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit.

Krahas kryeministrit Kurti, të ftuarve në panel ishin edhe: z.Niels Annen, Sekretari Parlamentar i Shtetit, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Republika Federale e Gjermanisë, znj.Alice Wairimu Nderitu, Këshilltare Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Gjenocidit, znj.Louise Mushikiwabo, Sekretare e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 tetor 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Byroja Kosovare e Sigurimit shënon 11 vjetorin e themelimit. (Hotel Venus, ora 9:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe UNDP Kosova do të organizojnë  fillimi e fushatës për ndërgjegjësimin e publikut  “Festo me zemër, jo me armë” që synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Oda Amerikane po organizon tryezën e rrumbullakët me titullin "Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë", për të diskutuar lidhur me këtë temë dhe sfidat e tjera në fushën e kujdesit shëndetësor, me ekspertë eminentë nga Kroacia. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Jeton Mehmetin Kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ora 10:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajë konferencë për media me temë 'Masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët'. (Ministria e Ekonomisë, salla e takimeve, ora 11:00)

- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës raporton para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën 6 mujore të vitit 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:00)

- Me rastin e vdekjes së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, Komuna e Deçanit organizon mbledhjen komemorative. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 13:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:00)