27 Nëntor 2022

Kosova hap kapituj të ri të bashkëpunimit me Kanadanë

Otava, 24 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Kryeministri Trudeau ka përgëzuar Presidenten Osmani për mandatin që ka për të shtyer përpara shumë nga vlerat që kanë rëndësi për Kanadanë.

Tutje, ai theksoi se qëndrimi i vendosur i Presidentes për demokracinë dhe kundër korrupsionit, pikëpamjet progresive qoftë për mjedisin apo për fuqizimin e grave, janë fusha në të cilat Kanada pret të punojë me Kosovën.

Presidentja Osmani ka potencuar shumë fusha në të cilat mund të hapen kapituj të ri të bashkëpunimit me Kanadanë, nga fusha e mbrojtjes e diplomacisë e deri tek tregtia e arsimi. Sipas saj, Kosova mund të përfitojë nga përvoja kanadeze, posaçërisht sa i përket përfshirjes së grave në vendimmarrje.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Trudeau për mbështetjen e Kanadasë ndaj Kosovës në periudha të ndryshme kohore.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani i ka vlerësuar si të shkëlqyeshme marrëdhëniet me Kanadanë dhe ka përmendur se në këtë frymë gjatë kësaj vizite ka  dekoruar Forcat e Armatosura të Kanadasë me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontributin e tyre në kuadër të forcave të NATO-s, gjatë intervenimit në Kosovë, më 1999 si dhe për shërbimin e tyre në Kosovë mbi dy dekada.  

Presidentja Osmani mori mbështetjen e kryeministrin kanadez për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për procesin e njohjeve, duke theksuar se synimi i Kosovës është integrimi në strukturat euro-atlantike.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova po zbaton reforma gjithpërfshirëse, të cilat synojnë forcimin e rendit dhe ligjit, por edhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës.

Duke folur për gjendjen aktuale në rajon, Presidentja Osmani ka theksuar se diskursi nxitës nga Serbia i mbështetur edhe nga shtrirja e ndikimit rus në rajon, paraqesin rrezik potencial për destabilizim të rajonit dhe janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)