02 Shkurt 2023

Kosova dhe Serbia të angazhohen më aktivisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE

New York, 21 prill - Në fjalimin e saj të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefe e UNMIK-ut, Znj. Caroline Ziadeh, iu bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe më aktive në Dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Përderisa ky proces ka arritur rezultate domethënëse për çështje të ndryshme praktike, deri më tani, normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve në mes të dy palëve vazhdon të jetë i paarritshëm,” PSSP Ziadeh tha, në shënimin e 9-vjetorit të Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve.

“Pajtimi dhe adresimi i shqetësimeve nga e kaluara duhet të shërbejnë për përforcimin e përpjekjeve për arritjen e qëllimeve të rëndësishme strategjike,” shtoi ajo.

Duke përmendur gjendjen në Ukrainë dhe ndikimin e saj të vazhdueshëm në sigurinë dhe ekonominë në Evropë, PSSP Ziadeh ritheksoi se qëndrueshmëria e institucioneve demokratike në mbarë Ballkanin është faktor kyq për një Evropë të sigurtë dhe demokratike.

Ajo tha që edhe para këtyre zhvillimeve, ekonomia e Kosovës kishte pësuar goditje, duke theksuar ndikimin e pandemisë COVID-19 në mirëqenien e rajonit. “Në këtë kontekst, bëhet edhe më urgjente gjetja e mënyrave praktike të bashkëpunimit ekonomik në mes Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë fqinjëve në rajon,” PSSP Ziadeh tha.

Thirrja e saj për bashkëpunim vjen pak kohë pas zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi. Shefja e UNMIK-ut përshëndeti procesin e mbresëlënës dhe paqësor – me përkrahje nga të dyja palët – me ç’rast 19,000 votues hodhën votat e tyre në qendra të veçanta të votimit në Serbi, edhe pse, fatkeqësisht, nuk u arrit zgjidhja për t’iu mundësuar pjesëmarrje në Kosovë.

Pas raportimeve të kohëve të fundit për sulme kundër Policisë së Kosovës, ajo bëri thirrje për dënim të përbashkët dhe veprime të shpejta për t’i sjellë përgjegjësit e këtyre veprimeve para drejtësisë. Ajo poashtu inkurajoi Prishtinën dhe Beogradin të gjejnë zgjidhje të përherhshme për targat dhe energjinë.

Në rrethanat aktuale aq të ndërlikuara, PSSP Ziadeh u bëri thirrje udhëheqësve që të jenë të matur në veprimet dhe retorikën e tyre politike.

PSSP Ziadeh poashtu theksoi se UNMIK-u nuk është as pengesë as forcë shtytëse për rezultatin përfundimtar të preferuar nga njëra apo pala tjetër. Ajo spjegoi se Misioni e vazhdon trashëgiminë e përkrahjes institucionale, duke punuar në sinergji me familjen e agjencive, fondeve dhe programeve të OKB-së, për të siguruar kushte për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës.

“UNMIK-u vazhdon të mbetet qendër e njohurive, përvojave dhe ekspertizave relevante … duke përkrahur një shoqëri aktive civile, promovuar masa të reja për ta ndihmuar Kosovën në forcimin e rendit dhe ligjit, duke kontribuar në fuqizimin e grave dhe rinisë, duke ofruar ekspertizë dhe përkrahje për mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut: të gjitha këto do të mbeten prioritete kryesore,” PSSP Ziadeh tha.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 shkurt 2023

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft-planin e punës për sesionin pranveror 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, N303, ora 9:00)

Paneli i Gjykatës së Apelit bën shpalljen e aktgjykimit të apelit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. (Hagë, ora 9:30)  

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 10:00)  

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)  

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënon Ditën Globale të Zgjedhjeve me temën “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”. (Hotel Sirius, ora 10:00)  

-Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Ferizajt ku do të takohet me kryetarin Agim Aliu. (Ferizj, ora 10:30)

- Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Redžepi organizon tryezë të rrumbullakët me rastin e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:00)