09 Shkurt 2023

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat

Bruksel, 23 nëntor - Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josef Borrell ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia - nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian - kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Borrell ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

"Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve", ka thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.

Pas arritjes së marrëveshjes Kosovë - Serbi për çështje e targave, ka reaguar edhe Zëvëndëskryeministri i Kosovës, njëkohësisht kryenegociator, Besnik Bislimi.

Në një postim në Twitter, theksoi se pas marrëveshjes së sotme, duhet të vazhdojnë bisedimet intensive.

“Pas marrëveshjes së sotme, ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive mbi propozimin e Bashkimit Evropian, mbështetur nga Gjermania e Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, shkroi Bislimi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 shkurt 2023

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KGJK-së, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Podujevës, ku do të pritet nga kryetari Shpejtim Bulliqi. (Podujevë, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik. (Fshati Gllamnik, Podujevë, ora 11:00)  

- Komuna e Prizrenit nënshkruan Agjendën e Kontratës Sociale për Prizrenin, që është zotim i përbashkët i Komunës dhe qytetarëve për përmirësimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe veprimeve kolektive. (Këndi Amerikan në Prizren, ora 11:00)

- Federata e Boksit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e viti 2022”. (Hotel Sirius, ora 17:00)