30 Janar 2023

Koshtunica: Serbia po u përulet ndërkombëtarëve

Beograd, 21 gusht - Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS), Vojisllav Koshtunica, ka deklaruar se Serbia po kushtëzohet që me territore të veta të paguajë vazhdimin e procesit të integrimeve europiane, raportojnë mediat serbe.

“Serbia shpejt do t’u ekspozohet presioneve dhe shantazheve të hapura se vazhdimi i rrugës europiane çon drejt vendosjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën”, ka theksuar Koshtunica në një deklaratë me shkrim, raporton “FoNet”.

Koshtunica ka thënë se Serbia do të ketë presion që të ndryshojë rezolutën e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, në atë mënyrë që, në marrëveshje me BE-në, do t’i bashkëngjitet dispozita që Serbia dhe Kosova duhet të bisedojnë për çështje teknike, në mënyrë që të bëhen fqinje të mira.

Sipas fjalëve të Koshtunicës, që para dy vjetësh ka qenë e qartë se forcat perëndimore, “të cilat qëndrojnë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së rrejshme të shtetit të Kosovës, do ta shfrytëzojnë çështjen e integrimit europian, si një shantazh dhe presion të veçantë ndaj Serbisë për të vendosur marrëdhënie të mira ndërfqinjësore me Kosovën”.

“Jo vetëm që është e pavërtetë se Kosova dhe BE janë tema të ndara, por e vërteta është se Serbia në mënyrën më të drejtpërdrejtë kushtëzohet që me territorin e vet të paguajë vazhdimin e integrimeve të paqarta europiane”, ka vlerësuar Koshtunica.

Ai ka thënë se mendimi i GJND-së është shfrytëzuar si shkas, në mënyrë që më shpejt të nisin presionet e hapura ndaj Serbisë. Sipas tij, përgjigjja e vetme e drejtë do të ishte që Serbia të kundërshtojë presionet dhe shantazhet dhe qartë të tregojë se rruga europiane nuk mund të ndërtohet me heqjen dorë nga Kosova dhe me shitjen e territoreve të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 janar 2023

 - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Vlerësues Mjekësor për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)

- Kuvendit Komunal të Rahovecit mban mbledhjen e parë për këtë vit. (Salla e KK-Rahovec, ora 10:00)
    
 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendin të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, C301, ora 11:00)
 
- Komuna e Vushtrrisë organizon ceremoninë e zbulimit të lapidarit të Dëshmorëve të Kombit, Sadri Maksuti e Sadik Malaj. Merr pjesë dhe kryetari i Komunës. Ferit Idrizi. (Fshati Stanoc, magjistralja Prishtinë-Mitrovicë, afër furrës “Evropa”, ora 13:00)
    
- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, diskuton për Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Salla e Asembles Komunale në Pejë, ora 13:00)
    
- Fondacioni Friedrich Ebert në Prishtinë prezanton draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në të cilat Komuniteti Serb i Kosovës është Shumicë”, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP). (Hotel Prishtina, ora 13:30)

- Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 14:00)


- Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj organizon ceremoninë e shpalljes së “Sportistit të Vitit 2022”. (Teatri “Adriana” në Ferizaj, ora 17:00)