07 Dhjetor 2021

Komisioni Evropian vlerëson masat e ndërmarra nga BQK

Prishtinë, 20 tetor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur përfundimet e nxjerra në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2020, i cili njeh angazhimin dhe masat e ndërmarra në sektorin financiar dhe po ashtu ofron rekomandime për avancime të mëtejme.

Raporti thekson se sektori financiar, i mbështetur nga masat e ndërmarra nga BQK lidhur me shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive, ka vazhduar të rritet në vitin 2020 dhe në gjysmën e parë të 2021, duke ruajtur adekuatshmërinë e kapitalit dhe nivelet e likuiditetit.

Këto masa ndihmuan në përmbajtjen e ndikimit të krizës në sektorin bankar dhe mbështetën rritjen e kreditimit.

Sektori financiar i rezistoi krizës Covid-19 kryesisht për shkak të niveleve të larta të kapitalit të bankave.

Treguesi i adekuatshmërisë së kapitalit të bankave mbeti i qëndrueshëm dhe dukshëm mbi raportin e kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 12%.

Gjithashtu, u theksua se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vazhdoi gradualisht me zbatimin e kornizës së Bazel III rreth kërkesave të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe raportit të leverazhit.

Raporti i Komisionit Evropian vlerëson se ndërmjetësimi financiar ka vazhduar të rritet. Pavarësisht pandemisë, kreditimi nga sektori bankar u rrit me 7.1 % në vitin 2020, ndërsa në prill-qershor 2021 u përshpejtua në mbi 10 % nga viti në vit. Rritja e kreditimit u lehtësua nga normat e ulëta të interesit, rritja e vazhdueshme e depozitave, përmirësimi i zbatimit të kontratave dhe rritja e garantimit të kredive.

Raporti potencon mos konstituimin e Bordit Drejtues të BQK-së duke ndikuar kështu në qeverisjen e Bankës Qendrore dhe në procesin e saj të vendimmarrjes. Andaj, ritheksohet kërkesa që në afat sa më të shpejtë Bordi i BQK-së të bëhet plotësisht funksional.

Raporti gjithashtu ka paraqitur rekomandimet që duhet të adresohen nga BQK-ja:

Të vazhdojë të zbatojë udhërrëfyesin për zbatimin e masave të Solvencës II dhe të rritë rolin mbikëqyrës në sektorin e sigurimeve;

Avancimin e mëtutjeshëm në zbatimin e kornizës Basel III dhe miratimi i ndryshimeve në kornizën ligjore të Kosovës që qeveris institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, në përputhje me praktikat më të mira.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 dhjetor 2021

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Ambasada Franceze, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Espace Campus France, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin AAB organizojnë hapjen e Panairit Universitar Francez në Kosovë i cili do tu mundësoj studentëve kosovarë të zbulojnë programet akademike të ofruara nga 30 universitete dhe 16 webinare nga Franca. (Universitetin AAB, ora 10:00)

- Ministri i  MMPHI Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të përformancës "Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)  

- VentureUP në partneritet me Sustainability Leadership Kosova dhe financuar nga UNDP organizon ditën e garës finale e eko-startup-eve të Programit Green Hub. (Amfiteatri i objektit të Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, ora 10:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrtimin raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 12:00)

- Të rinjte e iniciatives “Hajde në shkollë” organizojnë forum teatrin që ka për qëllim vetëdijësimin dhe parandalimin e braktisjes së shkollimit në mesin e të rinjve në komunën e Klinës. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 14:00)

- Kosovo 2.0 dhe Fondacioni 17  organizojnë diskutimin lidhur me mobilizimin e komunitetit për ruajtjen dhe rikthimin e hapësirave të përbashkëta publike, me fokus në historinë e tri kinemave që i shpëtuan privatizimit. (Kino Armata, ora 17:00)

- OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” organizojnë diskutimin "Le të flasim" i cili synon të sjellë vëmendjen dhe ndërgjegjësimin tek audienca në lidhje me diskriminimin racor, martesat e hershme, gjuhën e urrejtjes në institucionet publike dhe rrugën e edukimit mbi dy dekada. (Kino Armata, ora 19:00)