24 Tetor 2021

KASH i bën thirrje Serbisë të ndalojë retorikën konflikt - nxitëse

Tiranë, 25 shtator - Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) po përcjell me shqetësim zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

"Ne mbështesim fuqimisht vendimin legjitim të Republikës së Kosovës për të vendosur reciprocitet në trajtimin e targave të automjeteve që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë", thekson KASH.

KASH shpreh keqardhjen që marrëveshjet e dakordësuara në Bruksel nuk gjejnë vullnetin për zbatim, duke prapësuar arritjet e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë të të gjitha shteteve dhe popujve.

KASH konsideron se nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon duke iu rikthyer sjelljeve dhe veprimeve që nxisin dhunën dhe urrejtjen.

"Ne i bëjmë thirrje Republikës së Serbisë që të ndalojë retorikën konflikt-nxitëse dhe përshkallëzimin e tensioneve. Një qasje e tillë e udhëhequr nga nivelet më të larta shtetërore të Serbisë nuk është në interes të askujt, aq më pak në interes të qytetarëve të etnisë serbe të Republikës së Kosovës", thekson me tutje KASH.

Retorika konfliktuale e Beogradit dhe Moskës zyrtare, lëvizja e forcave ushtarake të Serbisë në kufij me Kosovën dhe sulmet kriminale në qendrat e regjistrimit të automjeve të Zubin Potok dhe Zveçan, janë  të papranueshme dhe një këmbanë alarmi për të frenuar në kohë daljen jashtë kontrolli të situatës.

KASH u bën thirrje BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve për të reaguar me shpejtësi dhe pa ekuivok ndaj politikave dhe veprimeve konflikt-nxitëse të Serbisë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përsërit se dialogu dhe integrimet në strukturat europiane dhe Euro-Atlantike janë rruga e vetme për paqe, stabilitet dhe prosperitet të rajonit tonë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)