29 Mars 2024

Jeremiç: Statusi i Kosovës, çështje e hapur

Uashington, 27 shkurt - Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, tha në Uashington se statusi i Kosovës mbetet një çështje e hapur ndonëse qeveria e tij nuk përpiqet të mbajë të ngrira problemet e mbetura në Ballkanin Perëndimor. Zoti Jeremiç i bëri komentet në qendrën SAIS të Universitetit Xhons Hopkins.

Ministri i Jashtëm serb tha se anëtarësimi i shpejtë në Bashkimin Evropian është përparësia kryesore e Serbisë dhe debati se në cilin drejtim duhet të shkojë vendi ka përfunduar.

Ndërkohë zoti Jeremiç përsëriti në mënyrë kategorike refuzimin e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Ministri i jashtëm serb, i cili po luan rolin kryesor në përpjekjet e Serbisë për të bllokuar njohjet e reja për Prishtinën, tha se statusi i Kosovës mbetet një çështje e hapur.

Ai tha se pavarësia e saj nuk mundi të marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit, të Bashkimit Europian dhe shumicës së vendeve anëtare të OKB-së e prandaj, sipas tij, nuk mund të vazhdojë. Por zoti Jeremiç nuk përmendi se shteti i ri gëzon njohjen dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve më të mëdha perëndimore si dhe është anëtar i dy institucioneve të mëdha financiare, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Ministri i Jashtëm serb tha se shqyrtimi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e ligjshmërisë së shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova, ka një rëndësi e cila nuk duhet nënvlerësuar.

"Kur Gjykata të shpallë opinionin e saj, kjo do të krijojë rastin për një dialog, i cili mund të prodhojë një zgjidhje funksionale të pranueshme nga të dyja palët për të ardhmen e Kosovës." Zoti Jeremiç tha se qeveria e tij nuk synon as të triumfojë dhe as të nënshtrojë të tjerët por të gjejë zgjidhje reale.

I pyetur nëse qëllimi i politikës së Beogradit është riintegrimi i Kosovës në Serbi, zoti Jeremiç e pranoi se kjo do të ishte e pamundur por tha se objektivi është të krijohen kushtet për dialog dhe për ripajtim.

Pasi përmendi faktin që Presidenti Boris Tadiç ka kërkuar falje për padrejtësitë që siç tha ai, një regjim i mëparshëm në Beograd bëri në Srebrenicë, zoti Jeremiç u pyet nëse Beogradi do të kërkonte ndjesë për ato që ndodhën në Kosovë në fillim të vitit 1999 kur NATO-ja u detyrua të ndërhyjë për të ndalur vrasjet dhe dëbimet masive. Ministri i jashtëm serb nuk u përgjigj drejtpërdrejt por tha se në fillim është e nevojshme të rivendoset një dialog i ri për Kosovën dhe pastaj të zgjidhen çështjet e mbetura.

Analisti me përvojë i çështjeve të Ballkanit në Uashington, Eduard Xhozef, i qendrës së studimeve SAIS, i tha Zërit të Amerikës se duke u përpjekur të bllokojë njohjet për Kosovën, Serbia shpreson që rreth statusit të mund të fillojnë negociata të reja.

"Serbia qysh në fillim nuk e ka njohur Kosovën duke e kundërshtuar pavarësinë e saj. Beogradi ka arritur të marrë mbështetjen e një numri vendesh, jo vetëm të Rusisë por edhe të disa vendeve anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Prishtinën.

Synimi i tyre është i qartë, të minimizojnë numrin e njohjeve, me shpresën se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të ketë bisedime dhe negociata të reja rreth statusit."

Zoti Xhozef tha se ndonëse opinioni i Gjykatës nuk është i detyrueshëm për t'u zbatuar, ai mund të ketë një farë peshe politike megjithëse nuk pritet që vendimi të jetë një po ose jo e qartë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)