28 Mars 2024

Guskova: Serbia po rrezikon vetveten në OKB

Moskë, 7 gusht - Udhëheqësja e Qendrës për Studim të Krizës Bashkëkohore në Ballkan pranë Akademisë Ruse të Shkencave, njëkohësisht edhe anëtare e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, Jelena Guskova ka thënë se para GJND-së Serbia e ka parashtruar pyetjen në mënyrë të duhur, por që tashti, duke kërkuar deklarimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së rreth çështjes, Beogradi po rrezikon.


“Serbia nuk e ka parashtruar pyetjen në mënyrë të gabuar… për më tepër pyetja ka qenë tejet e pakëndshme për GJND-në”, tha Guskova në një intervistë për gazetën “Danas”.

“Për këtë arsye Gjykata e ka shfrytëzuar të drejtën e vet diskrete dhe e ka ndryshuar pyetjen që i është dërguar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe vetëm pas kësaj e ka dhënë opinionin e vet. GJND-ja është pyetur për pavarësinë e njëanshme, e ajo ka dhënë përgjigje për deklaratën, thënë më thjeshtë – për një copë letre”, tha Guskova.

Ky ndryshim i esencës së pyetjes, sipas saj, nuk është përmendur nga askush, edhe pse Guskova thotë se ajo “vazhdimisht e thekson këtë gjë”. Guskova më tutje ka thënë se kanë të drejtë ata që thonë se kjo përgjigje e GJND-së do t’u lejojë shumë vendeve apo territoreve në shtetet shumënacionale që të lëvizin bazuar në rastin e Kosovës.

“Kjo do t’i ndërlikojë marrëdhëniet në botë, por pozita e Serbisë nuk do të lehtësohet. Gjë tjetër është nëse fare është dashur të pyetet GJND-ja. Nëse kihet parasysh se marrëdhëniet mes organizatave ndërkombëtare dhe Serbisë prej vitit 1991 deri më 1999, është shumë e qartë se nuk ka mundur të pritet një trajtim i drejtë i Serbisë”, tha ajo.

Duke folur për miratimin e Rezolutës në OKB, Guskova ka paralajmëruar se “gjykuar në dokumentet dhe materialet e seancave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit, Rusia, Kina, Sllovakia, Vietnami, Spanja dhe disa shtete të tjera do ta përkrahin Serbinë”. Por, ajo ka thënë se në Asamblenë e Përgjithshme “situata është më e ndërlikuar”, sepse me një shumicë të vogël Asambleja pati votuar që çështja e pavarësisë së Kosovës të dërgohet në GJND dhe tani përgjigjja është marrë prej atje.
 
“Duket që Serbia rrezikon që vazhdon të kërkojë nga Asambleja e Përgjithshme drejtësi”, tha ajo, duke shtruar vetë pyetjen se çka do të bëjë Serbia “nëse vendimi i Asamblesë së Përgjithshme nuk do të jetë në favor të saj”. E pyetur nëse ndarja e Kosovës është një zgjidhje reale, Gusova konstatoi: “Prishtina tani është e hipur mbi kalë, ndërsa Serbia është në mesin e të mposhturve”.

“Ndarja e Kosovës është zgjidhje e mirë për Serbinë, por shqiptarët vështirë se do të pajtohen me këtë. Pse ata të japin një copë kur e kanë mundësinë ta mbajnë të gjithën?”, pyet Guskova. Ajo konkludoi se është i nevojshëm një “vëzhgim” preliminar i situatës me shqiptarët, ndërsa më pas inicimi i zgjidhjes së çështjes para organizatave ndërkombëtare. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)