28 Mars 2024

Ekonomitë e reja të Evropës dhe Azisë Qendrore i kthehen rritjes

Uashington, 31 mars - Ekonomitë e reja dhe në zhvillim në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore këtë vit pritet të rriten me 3.6 për qind, pasi rimëkëmbja e eksporteve dhe stabilizimi i çmimeve të mallrave industriale kundërpeshuan pjesërisht rigjallërimin e pandemisë në fund të vitit 2020 dhe valën e fundit në numrin e rasteve të reja, thotë edicioni i fundit i Përditësimit Ekonomik të Bankës Botërore për rajonin, i publikuar sot.

Rritja modeste në 2021 vjen pas një tkurrjeje prej 2 për qind në vitin 2020 për shkak të çrregullimeve të lidhura me COVID-19. Tkurrja ishte më e vogël sesa ishte parashikuar për shkak të një rimëkëmbjeje më të fortë sesa parashikimi në Turqi dhe falë qëndrueshmerise në Rusi, që janë ekonomitë më të mëdha të rajonit. Rikthimi i prodhimit industrial, kërkesa e rritur për eksport, çmimet më të larta të mallrave bazë dhe mbështetja fiskale dhe monetare kontribuuan në këtë rezultat. Më të goditurat janë ekonomitë që varen shumë nga shërbimet dhe turizmi, meqë masat e distancimit social dhe kufizimet e lëvizjes çuan në dobësi të vazhdueshme.

Rritja rajonale pritet të forcohet në 3.8 për qind në 2022, ndërsa efektet e pandemisë gradualisht zbehen dhe marrin hov tregtia dhe investimet. Megjithatë, perspektiva mbetet shumë e pasigurt  dhe rritja mund të jetë më e dobët nëse fashitja e pandemisë merr më shumë kohë sesa pritej; ka vonesa në vaksinim; kushtet e financimit të jashtëm po përkeqësohen për shkak të rritjes së normave globale të interesit ose rënies së besimit të investitorëve; ose për shkak të tensioneve gjeopolitike.

Pandemia pritet të fshijë të paktën pesë vite të përfitimeve për frymë në disa prej ekonomive të rajonit dhe të rritë numrin e popullsisë nën kufirin e varfërisë, kryesisht për shkak të humbjeve të vendeve të punës. Në përgjithësi, me gjithë rikthimin e rritjes, rimëkëmbja në bruto produktin vendor (BPV) për frymë në rajon është e zbehtë dhe nën trendet parapandemike.

“Pandemia vazhdon të hedhë një hije mbi aktivitetin ekonomik në Evropë dhe Azinë Qendrore. Megjithatë, ndërsa politikëbërësit ballafaqohen me ndikimet afatshkurtra në shëndetësi, arsim dhe ekonomi, ata do të duhej të shfrytëzojnë mundësinë për të adresuar sfidat afatgjata të rritjes së produktivitetit, ndërtimin e një sektori privat më të gjallë, përmirësimin e institucioneve dhe përparimin drejt ekonomive me shkallë të ulët të emisioneve të karbonit, që janë më të gjelbra dhe më gjithëpërfshirëse,” tha Anna Bjerde, Zëvendës Presidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.”  

Thelbësore për arritjen e këtyre objektivave afatgjata të zhvillimit është qeverisja e mirë. Pandemia ka theksuar nevojën për qeverisje të mirë, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që kanë luajtur qeveritë në mbarë botën për zbutjen e ndikimeve shëndetësore, ekonomike dhe sociale të virusit. Gama e masave të ndërmarra ka përfshirë kufizime të lëvizjes për të kontrolluar përhapjen e infeksionit deri te programet e vaksinimit, paketa lehtësimi për të mbrojtur individët dhe bizneset nga pasojat ekonomike të pandemisë, dhe krijimin e mënyrave për mësim virtual për miliona fëmijë të moshës shkollore. 

Në Evropë dhe Azinë Qendrore, qeverisja e mirë është edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh rolin historikisht të madh që qeveritë luajnë në formësimin e ekonomisë. Shpenzimet qeveritare në rajon përfaqësojnë gati 40 për qind të ekonomisë dhe qeveritë punësojnë më shumë se një të katërtën e punëtorëve më të arsimuar dhe më produktivë të rajonit, ku gratë përbëjnë 57 për qind të punonjësve të sektorit publik. Dhe roli i qeverisë në vendet e rajonit ka të ngjarë të rritet më tej në vitet e ardhshme, i shtytur kryesisht nga nevoja për zgjerimin e shërbimeve shëndetësore dhe të kujdesit afatgjatë për popullsitë që po plaken dhe mbështetjen e publikut për ndërhyrjet e qeverisë për të trajtuar pabarazinë dhe, në ballafaqim me COVID-19, përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor. 

Në një analizë të veçantë me titull ‘Të dhënat, digjitalizimi dhe qeverisja në Evropë dhe Azinë Qendrore’, raporti shqyrton rolin e mundshëm të të dhënave dhe digjitalizimit në përmirësimin e qeverisjes në rajon.

“Për të adresuar në mënyrë efektive sfidat që ka sjellë COVID-19, përmirësimi i qeverisjes ka marrë një rëndësi edhe më të madhe në rajon,” tha Asli Demirgüç-Kunt, Kryeekonomiste e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore. “Teknologjia digjitale dhe revolucioni i të dhënave ofrojnë potencialin për të rritur efikasitetin, transparencën, përgjegjshmërinë, si dhe besimin e qytetarëve, ku të gjitha këto përmirësojnë drejtpërdrejt cilësinë e qeverisjes."

Të dhënat vendosin bazën për vendimmarrje të përmirësuar, funksionim të optimizuar të qeverisë dhe alokim më efektiv të resurseve, ndërsa digjitalizimi i forcon këto procese dhe mundëson efikasitet dhe transparencë më të madhe.

Për të zgjeruar ndikimin e revolucionit të të dhënave është e nevojshme rritja e digjitalizimit të qeverisë dhe koordinimi i sistemeve të decentralizuara të të dhënave. Cilësia e qeverisjes informohet gjithnjë e më shumë nga shkalla në të cilën qeveritë përdorin mjetet digjitale dhe zbatojnë teknologjinë në praktikat qeveritare për të përmirësuar menaxhimin, ofrimin e shërbimeve dhe kapacitetin e përgjithshëm shtetëror. Qeveritë do të duhej të zbatojnë struktura stimuluese për të nxitur përshtatjen e sistemeve të të dhënave brenda shërbimit civil.

Revolucioni i të dhënave dhe digjitalizimi, gjithashtu, ofrojnë një mundësi për të forcuar besimin duke kultivuar një bashkëpunim efektiv ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile. Një nga mekanizmat më premtues për ta bërë këtë është ai për Të Dhënat e Hapura Qeveritare, që ul kostot e transaksioneve për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e të dhënave të sektorit publik dhe mundëson një kuptim më të plotë të cilësisë së qeverisjes. Mundësimi i qasjes së hapur në të dhënat e qeverisë mund të ndihmojë gjithashtu në luftën kundër përhapjes së keqinformimit dhe dezinformimit nëpër kanalet e mediave sociale. Promovimi i mekanizmave për dhënien e informacionit kthyes në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë jo vetëm që përmirëson ofrimin e shërbimeve publike, por gjithashtu ndërton besimin dhe legjitimitetin.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)