20 Prill 2024

Diskutohet bashkëpunimi ligjor ndërkombëtar

Prishtinë, 5 maj - Bashkëpunimi ligjor ndërkombëtar dhe ecuria e hartimit të një varg ligjesh të apostrofuara në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, kanë qenë pikat kyçe të diskutimit në dëgjimin e sotëm publik të Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi.

Duke e arsyetuar mbajtjen e këtij dëgjimi publik, kryetari i Komisionit, Bahri Hyseni, theksoi se kjo vjen si obligim që del nga Raporti i Progresit i KE-së, Plani i Veprimit të Kuvendit dhe ai i Komisionit.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Shkëlzen Maliqi, duke dhënë një pasqyrë të bashkëpunimit që ka Ministria e Drejtësisë me shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe me ato që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap, theksoi se ky bashkëpunim shtrihet posaçërisht në fushën e arrestimeve, ndërsa vështirësi paraqet mosqenia e Policisë së Kosovës anëtar i INTERPOL-it.

Sipas Maliqit, Serbia ka hartuar një listë prej më shumë se 150 qytetarësh të Kosovës dhe ia ka dërguar INTERPOL-it, të cilët janë të rrezikuar pas daljes jashtë kufijve të Kosovës. Në këtë listë Kosova nuk ka qasje, por, Maliqi tha se iu janë dërguar shkresa shteteve të ndryshme që të mos marrin parasysh listën serbe me emra të qytetarëve të Kosovës, për vepra penale të kryera në Kosovë.

Bashkëpunimi me Malin e Zi dhe mundësia që qytetarët e Kosovës të mos arrestohen në këtë shtet me fletë arreste serbe, ishte çështje e ngritur nga anëtarët e Komisionit. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë theksuan se Kosova dhe Mali i Zi mund të nënshkruajnë sivjet një marrëveshje e cila do të evitonte një rrezik të tillë.

Në vazhdim, kryetari Hyseni kërkoi një varg sqarimesh nga përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe ai i Prokurorisë rreth zbatimit rekomandimeve të Auditorit në gjyqësi, funksionimit të gjykatave në veri të Kosovës, pjesëmarrjes së komuniteteve pakicë në sistemin gjyqësor të Kosovës, ecurinë e hartimit të projektligjeve të përcaktuara nga Raporti i Progresit dhe Plani i Veprimit etj.

Duke dhënë detaje rreth këtyre projektligjeve, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë thanë se Projektligji për mbrojtjen e dëshmitarëve është i përfunduar, por është kërkuar kohë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave në gjetjen e mjeteve, për shkak të implikimeve të mëdha financiare që ka ky ligj. Ndërkaq, u tha se në hartim e sipër janë edhe Projektligji për ndihmë juridike, ai për rrëmbimin ndërkombëtar të fëmijëve, Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale etj.

Përfaqësuesi i Zyrës Ligjore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Besim Kajtazi, theksoi se në bazë të vendimit të Kuvendit të Kosovës, i është bërë kërkesë qeverisë që të ndryshohet strategjia legjislative për vitin 2010 dhe po ecet sipas parashikimeve në përfundimin e 15 ligjeve të përcaktuara si ligje me prioritet të lartë, deri në afatin e përcaktuar, më 30 qershor. Sa i përket Projektligjit për nismat legjislative, ai theksoi se ai është në hartim e sipër dhe do të sillet në Kuvend brenda afatit.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)