05 Dhjetor 2022

DASH kritikon Kosovën për mosndëshkimin e korrupsionit

Washington, 12 prill - Në raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, Departamenti i Shtetit tha se në Kosovë çështjet e rëndësishme të këtyre të drejtave përfshinin raporte të besueshme për: kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet për dhunë gazetarëve; korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin dhe krimet që përfshijnë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj pakicave etnike ose komuniteteve tjera të margjinalizuara.

Qeveria, thuhet në raport, ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut, por nganjëherë nuk kishte qëndrueshmëri në veprime.

Shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media, raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose duke vepruar pa u ndëshkuar.

Qeveria ndonjëherë pezulloi, largoi shkelësit nga detyra ose transferoi të akuzuarit, dhe sektori i drejtësisë ndonjëherë ndërmori hapa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kryen shkelje dhe krime. Megjithatë, shumë zyrtarë të korruptuar vazhduan të mbajnë poste në sektorin publik.

Në raport përmendet puna e Gjykatës së Posaçme të Kosovës për krime lufte me seli në Hagë dhe veprimet për ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës nga gjykatat në Kosovë.

Deri në shtator, Prokuroria e Posaçme e Kosovës (PSRK) kishte nën hetim zyrtar 12 raste të krimeve të luftës. Gjatë vitit PSRK-ja ka nxjerrë një aktvendim për fillimin e hetimeve.

 Një rast i profilit të lartë të krimeve të luftës i njohur si “Drenica I” u dërgua për rigjykim në vitin 2017, por u vonua disa herë. Deri në dhjetor nuk ishte mbajtur asnjë seancë dëgjimore.

Raporti vë re se në korrik, një gjykatë në Prishtinë dënoi ish-policin serb, Zoran Vukotiç me tre vjet e gjysmë heqje lirie për përdhunimin e një gruaje shqiptare shtatzënë gjatë kohës së luftës dhe për pjesëmarrje në dëbimet e civilëve shqiptarë të Kosovës nga qyteti i Vushtrrisë, në vitin 1999.

Që nga viti 2019, Vukotiçi ishte në vuajtje të dënimit prej gjashtë vjet e gjysme për krimet e luftës të ndalimit dhe torturimit të paligjshëm të të burgosurve shqiptarë nga Kosova në rajonin e Mitrovicës. Dënimi shtesë shënoi herën e parë që një gjykatë e Kosovës dënon një të pandehur për përdhunim gjatë luftës.

Raporti përfshinë edhe dënimin në muajin mars të serbit nga Kosova Zlatan Krstiç dhe shqiptarit Destan Shabani, të dy ish-oficerë të policisë serbe, me përkatësisht 14 vjet e gjysmë dhe shtatë vjet burgim, për krime lufte kundër civilëve shqiptarë në vitin 1999.

Ndërsa në shkurt, një gjykatë në Prishtinë dënoi serbin e Kosovës, Zoran Gjokiç me 12 vjet heqje lirie për krime lufte kundër shqiptarëve të Kosovës të kryera ndërmjet marsit dhe prillit 1999 në rajonin e Pejës.

Komisioni qeveritar për Persona të Zhdukur tha në muajin shtator se 1 mijë e 632 veta ende llogariten si të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-99 dhe dhunës politike që pasoi. Sipas ligjit, baza e të dhënave të personave të zhdukur të qeverisë nuk përfshin përkatësinë etnike të personave të zhdukur, përveç nëse raportohet vullnetarisht nga familja e tyre.

Komisioni la të kuptohet se rreth 70 për qind janë shqiptarë ndërsa 30 për qind ishin serbë, romë, ashkali, egjiptianë, boshnjakë, goranë, malazezë dhe të tjerë.

Raporti përfshinë edhe ankesat për keqtrajtimin e të burgosurve dhe përdorimin e dhunës nga pjesëtarët e organeve të rendit.

Qeveria ndonjëherë hetonte shkeljet, megjithëse mekanizmat për ta bërë këtë nuk ishin gjithmonë efektivë ose ishin subjekt i ndërhyrjeve politike, gjatë periudhës që përfshinë raporti. Forcat e sigurisë, thuhet më tej, nuk siguruan respektimin e urdhrave të gjykatës kur zyrtarët lokalë nuk i zbatuan ato. Edhe pse disa oficerë policie u arrestuan me akuza për korrupsion gjatë vitit, mosndëshkimi mbeti një problem.

Raporti përfshinë të dhënat e Inspektoratit Policor të Kosovës i cili deri në nëntor kishte pranuar 1,862 ankesa, 617 prej të cilave janë dërguar për hetim penal. Ankesat ishin kryesisht për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorim të detyrës zyrtare, lëndim trupor, kanosje dhe dhunë në familje. Inspektorati raportoi se 158 policë ishin nën hetim, 78 ishin pezulluar dhe 31 ishin arrestuar.

Raporti thekson se Sipas Komisionit Evropian, organizatave joqeveritare dhe Institucionit të Avoktatit të Popullit, administrimi i drejtësisë ishte i ngadaltë dhe i mungonin mjetet për të siguruar llogaridhënien e zyrtarëve gjyqësorë. Strukturat gjyqësore iu nënshtruan ndërhyrjeve politike, emërimeve të kontestuara dhe mandateve të paqarta.

Mes tjerash raporti thekson se autoritetet ndonjëherë nuk arritën të zbatonin urdhrat e gjykatës, përfshirë edhe të Gjykatës Kushtetuese.

 Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës pohuan se institucionet qeveritare dështuan në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht në mosmarrëveshjet lidhur me pronën.

Autoritetet qendrore dhe lokale në Deçan vazhduan të refuzojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që konfirmon pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi më shumë se 24 hektarë tokë në afërsi të Manastirit të Deçanit.

Në shtator, Gjykata Kushtetuese vuri në dukje refuzimin e vazhdueshëm të qeverisë për të zbatuar vendimin e gjykatës dhe ia referoi çështjen prokurorit të shtetit. Deri në dhjetor, prokurori nuk kishte filluar procedimin penal. Asnjë nga zyrtarët që nuk kanë zbatuar urdhrin e gjykatës nuk janë sanksionuar, thuhet në raport.

Raporti thekson se ndonëse qeveria në përgjithësi e respektoi të drejtën e shprehjes, raportet e besueshme thonë se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias.

Problemet e financimit gjithashtu dëmtuan pavarësinë e medias. Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike.

Mediat e pavarura, thuhet më tej, ishin aktive dhe shprehën një shumëllojshmëri pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime.

Megjithatë, pati raportime se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara.

Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik investigativ për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose vendin e punës.

Ndërsa disa media të vetqëndrueshme miratuan politika editoriale dhe transmetime të pavarura nga interesat politike dhe të biznesit, ato me më pak burime ndonjëherë pranuan mbështetje financiare në këmbim të mbulimit pozitiv ose për t'u përmbajtur nga publikimi i rrëfimeve negative të dëmshme për interesat e financuesve.

Sipas disa redaktorëve, financimi ishte i kufizuar pjesërisht sepse qeveria hezitonte të blinte reklama në mediat që publikonin materiale kritike ndaj politikave të qeverisë.

Deri në dhjetor, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës raportoi 26 raste kur zyrtarët qeveritarë, njerëz të biznesit apo përfaqësues të grupeve të komunitetit ose grupeve fetare, shkelën lirinë e shtypit duke sulmuar fizikisht ose kërcënuar verbalisht gazetarët.

Raporti vë re se disa gazetarët u ankuan se pronarët dhe menaxherët e medias i penguan ata të botonin ose transmetonin materiale kritike ndaj qeverisë, partive politike ose zyrtarëve të veçantë.

Raporti thekson se zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar dhe se mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuan në këtë problem.

Çështjet e korrupsionit në mënyrë rutinore u nënshtroheshin apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte parashkrimin apo skadimin e afatit për të gjykuar çështjet.

Në raport thuhet se Prokuroria e Posaçme ngriti nëntë aktakuza lidhur me korrupsionin deri në dhjetor të vitit 2021, por një pjesë e vogël e rasteve të korrupsionit që u hetuan dhe për të cilat u ngritën akuza, përfunduan me dënime.

Organizatat joqeveritare vendase dhe organizatat ndërkombëtare, thuhet në raport, pretenduan për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime dhe dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë për korrupsion ishte shpesh i butë.

Raporti citon Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimi e Ligjit, sipas të cilit gjykatat shpesh zbatonin dënime më të lehta se minimumi ligjor në rastet e përdhunimit dhe se organet e sundimit të ligjit rrallë ndërmerrnin hapa për të mbrojtur viktimat dhe dëshmitarët.

Zyra e Prokurorisë për Ndihmë ndaj Viktimave, raportoi një rritje të dhunës familjare nga 1 mijë e 145 raste të raportuara në vitin in 2020 në 1 mijë e 374 raste nga janarit deri në gusht të vitit 2021. Dhuna seksuale dhe përdhunimi që ndodhin brenda ose jashtë familjes, rrallë u raportuan nga viktimat, shpesh për shkak të frikës nga stigma shoqërore ose mungesa e besimit tek autoritetet.

Raporti iu referohet organizatave për të drejtat e grave, sipas të cilave ngacmimi seksual ishte i zakonshëm në vendet e punës si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, duke përfshirë edhe institucionet publike të arsimit të lartë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të bëjë lansimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, do të hapë ekspozitën e të burgosurve rreth rasteve të Dhunës në Familje. (Hollin e Ministrisë së Drejtësisë, ish objekti Rilindja, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)            


- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 16:30)