27 Nëntor 2022

Britania kërkon konsensus nga G7 në përgjigje të Rusisë, Kinës dhe Iranit

Liverpool, 11 dhjetor - Diplomatët e lartë të G7 u mblodhën të shtunën në Liverpool të Britanisë së Madhe për të demonstruar "një shfaqje uniteti kundër agresorëve globalë" në mes të një krize mbi synimet e Rusisë ndaj Ukrainës.

Britania po kërkon konsensus nga grupi i vendeve më të pasura në përgjigje të asaj që ajo e quan "sjellje dashakeqe" nga Rusia dhe tensionet me Kinën dhe Iranin.

“Ne duhet të mbrohemi kundër kërcënimeve në rritje nga aktorët armiqësorë”, tha Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss në hapje të takimit të ministrave të Jashtëm Britanisë, Shtetet e Bashkuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. “Dhe ne duhet të bashkohemi fort për t'iu kundërvënë agresorëve që po kërkojnë të kufizojnë lirinë dhe demokracinë”, shtoi ajo.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO janë të shqetësuara se lëvizja e trupave dhe armëve ruse në rajonin kufitar me Ukrainën mund të jetë një përgatitje për ndërhyrje ushtarake dhe kanë thënë se një veprim i tillë do të shkaktonte vendosjen e sanksioneve të rënda ekonomike nga Perëndimi kundër Rusisë.

Truss dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken diskutuan mbi mënyrat e pengimit të një "agresioni të mëtejshëm rus kundër Ukrainës" në një takim kokë më kokë, tha Departamenti i Shtetit. Sipas Zërit të Amerikës, Britania tha se të dy diplomatët e lartë paralajmëruan se çdo ndërhyrje ruse "do të ishte një gabim strategjik për të cilin do të kishte pasoja të rënda".

Departamenti i Shtetit njoftoi të shtunën se diplomatja e lartë amerikane për Europën, Karen Donfried, do të vizitojë Kievin dhe Moskën javën e ardhshme "për të përforcuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës" dhe për të kërkuar një zgjidhje diplomatike të krizës. Pas takimit me zyrtarët ukrainas dhe rusë, zonja Donfried do të shkojë në Bruksel për të biseduar me aleatët e NATO-s dhe ata të Bashkimit Europian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)