07 Dhjetor 2021

Brazili përballet me një nga thatësirat më të rënda në historinë e tij moderne

Rio de Zhanerio, 26 tetor - Reshjet e pakta po dëmtojnë ekonominë e Brazilit, një ndër vendet më të rëndësishme përsa i takon bujqësisë. Thatësira po i detyron fermerët të gjejnë burime më të kushtueshme energjie që mund të dëmtojnë mjedisin.

Pamjet e filmuara me dron tregojnë zogj që qëndrojnë në një rezervuar të tharë në Sao Paulo të Brazilit. Nivelet e ulëta të ujit në digat e hidroçentraleve po i shtyjnë fermerët në këtë vend që mbështetet tek bujqësia, të shfrytëzojnë burime më të kushtueshme dhe jo të ripërtëritshme energjie që mund të kontribuojnë tek ndotja e mëtejshme e ajrit.

"Kriza e ujit në Brazil po na paralajmëron që të marrim masa. Kur flasim për një krizë uji duhet të kemi parasysh pyllin më të madh tropikal të botës, Amazonën, e cila ka nivele alarmuese shpyllëzimi, sezoni zjarresh dhe zjarre të shkaktuara nga njerëzit", thotë Pamela Gopi, nga Organizata mjedisore "Greenpeace".

Zëdhënësja e organizatës Greenpeace thotë se thatësira duhet ta shtyjë qeverinë të ndërmarrë veprime ndaj ndryshimeve klimatike dhe të punojë për të mbrojtur pyllin e Amazonës.

Organizata jofitimprurëse WeForest thotë se një e katërta e prodhimit të brendshëm bruto në Brazil ka ardhur nga bujqësia gjatë 20 viteve të fundit. Ajo e rendit Brazilin në vendin e katërt në botë për prodhimin e ushqimeve. Por, bujqësia kërkon ujë dhe nivelet e ujit kanë rënë në kapacitetin 29%. Kompania e ujësjellësit në Sao Paulo thotë se ky është volumi më i ulët i regjistruar gjatë pesë viteve të fundit.

Nga ky ujë presin të furnizohen mbi 7 milionë njerëz në këtë rajon.

"Është e mundur që ta shmangim krizën me të cilën po përballet vendi dhe bota për shkak të zhvillimeve ekstreme të ndryshimeve klimatike. Por që të ndodhë kjo duhet të veprojmë me urgjencë, pasi nuk kemi planet tjetër", thotë Pamela.

Autoritetet po i inkurajojnë brazilianët të përdorin më pak energji, por deri më tani nuk kanë vendosur kuota për energjinë. Brazili po përballet tashmë me një nga thatësirat më të rënda gjatë pothuajse një shekulli.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 dhjetor 2021

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Ambasada Franceze, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Espace Campus France, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin AAB organizojnë hapjen e Panairit Universitar Francez në Kosovë i cili do tu mundësoj studentëve kosovarë të zbulojnë programet akademike të ofruara nga 30 universitete dhe 16 webinare nga Franca. (Universitetin AAB, ora 10:00)

- Ministri i  MMPHI Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të përformancës "Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)  

- VentureUP në partneritet me Sustainability Leadership Kosova dhe financuar nga UNDP organizon ditën e garës finale e eko-startup-eve të Programit Green Hub. (Amfiteatri i objektit të Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, ora 10:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrtimin raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 12:00)

- Të rinjte e iniciatives “Hajde në shkollë” organizojnë forum teatrin që ka për qëllim vetëdijësimin dhe parandalimin e braktisjes së shkollimit në mesin e të rinjve në komunën e Klinës. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 14:00)

- Kosovo 2.0 dhe Fondacioni 17  organizojnë diskutimin lidhur me mobilizimin e komunitetit për ruajtjen dhe rikthimin e hapësirave të përbashkëta publike, me fokus në historinë e tri kinemave që i shpëtuan privatizimit. (Kino Armata, ora 17:00)

- OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” organizojnë diskutimin "Le të flasim" i cili synon të sjellë vëmendjen dhe ndërgjegjësimin tek audienca në lidhje me diskriminimin racor, martesat e hershme, gjuhën e urrejtjes në institucionet publike dhe rrugën e edukimit mbi dy dekada. (Kino Armata, ora 19:00)