29 Mars 2024

BE vendos sanksione ndaj Putinit dhe Lavrovit

Bruksel, 25 shkurt - Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha se blloku vendosi sanksione ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe ministrit të Jashtëm Sergej Lavrov.

"Ne kemi listuar sot presidentin Putin dhe ministrin e Jashtëm Lavrov", tha Borrell në një konferencë për media pas takimit të diplomatëve të lartë të BE-së.

Ai shpjegoi se liderët e BE-së nuk arritën marrëveshje për këtë pikë të enjten gjatë samitit të tyre të jashtëzakonshëm, por negociatat vazhduan dhe ministrat e Jashtëm më në fund arritën marrëveshje për të vendosur sanksione të ndalimit të udhëtimit dhe ngrirjes së aseteve ndaj Putinit dhe Lavrovit.

Pakoja e re shënjestron edhe Bjellorusinë për përfshirjen e saj në ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë dhe vendos kufizime serioze në financat dhe politikën e vizave.

“Ne po shkurtojmë qasjen e Rusisë në tregjet më të rëndësishme të kapitalit”, tha Borrell, duke shtuar se masat e reja do të kufizojnë ndjeshëm flukset e kapitalit në Rusi.

Sanksionet synojnë 70 për qind të sektorit bankar rus, kompanitë kryesore shtetërore, ndërsa blloku vendos gjithashtu kufizime në tregtinë në lidhje me sektorin e energjisë, aviacionin dhe teknologjinë më të avancuar.

BE-ja miratoi të mërkurën pakon e parë të sanksioneve kundër Rusisë për shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

Masat synojnë ndër të tjera Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, dy zv/kryeministra, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe 351 anëtarë të Dumës së Shtetit, dhoma e ulët e parlamentit rus.

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë hyri në ditën e dytë, me raportet e fundit që tregojnë se trupat ruse po shkonin drejt kryeqytetit Kiev nga disa drejtime.

Putin kishte urdhëruar ndërhyrjen ushtarake të enjten, vetëm disa ditë pasi njohu dy enklavat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.

Ai pretendoi se Moska nuk kishte plan për të pushtuar vendin fqinj, por donte të "çmilitarizonte" dhe "denazifikonte" Ukrainën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi Rusinë se po përpiqet të instalojë një qeveri-kukull dhe tha se ukrainasit do të mbrojnë vendin e tyre kundër agresionit rus.

Tensionet filluan të përshkallëzohen në fund të vitit të kaluar kur Ukraina, SHBA dhe aleatët e saj akuzuan Rusinë për grumbullimin e rreth 150.000 trupave në kufirin me Ukrainën.

Ata pretenduan se Rusia po përgatitej të pushtonte fqinjin e saj perëndimor, akuza të kundërshtuara vazhdimisht nga Moska.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)