22 Shtator 2021

MAShTI ka filluar përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor

Prishtinë, 9 korrik - Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka filluar përgatitjet për një fillim sa të të mirë të vitit të ri shkollor 2021/2022. Kështu ka deklaruar zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna në konferencën e rregullt për medie.

Pasi që ka folur rreth përfundimit të këtij viti të vështirë shkollor për shkak të pandemisë, zv/ministrja Maloku Bërdyna theksoi se shpresojmë që nga shtatori, procesi mësimor të fillojë në kushte normale me prani fizike.

Por, ajo tha se varësisht nga situata me pandeminë kjo do të vendoset nga institucionet kompetente si IKShPK e Ministria e Shëndetësisë, ndërsa theksoi se lajm i mirë është se tashmë ka nisur edhe vaksinimi i mësimdhënësve në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për vitin e ri shkollor.  

Sa i përket procesit të botimit të teksteve të reja për klasat 3, 8 dhe 12, zv/ministrja tha se ato do të jenë në duart e nxënësve në muajin shtator. Po ashtu, ajo përmendi edhe faktin se nga viti i ardhshëm shkollor, do të hyjnë në përdorim edhe tekstet alternative.

Zv/ministrja bëri të ditur se në fund të këtij viti do miratohet edhe Ligji i ri për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik dhe pastaj do të vazhdohet me tekste të reja edhe për klasat tjera.

Zv/ministrja Maloku Bërdyna foli edhe për rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës të shpallura në fillim të kësaj jave.

Ndër të tjera, ajo tha se Këshilli Shtetëror i Maturës ka vlerësuar raportet e komisioneve në qendrat e testimit dhe ka konstatuar se 15 mësimdhënës kanë bërë shkelje të procedurave të administrimit dhe atyre do t’iu publikohen emrat dhe të njëjtit do të dënohen edhe me mjete financiare bazuar në Ligjin e Maturës.  

Ndërsa, sa i përket afatit të dytë të Provimit të Maturës, zv/ministrja tha se janë duke u bërë përgatitjet që ky provim të mbahet më 28 gusht, ashtu siç është planifikuar, ndërsa nxënësit mund ta paraqesin provimin nga data 15 gusht.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Shtator 2021

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për menaxhimin e situatës me Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Komunën e Prishtinës, Policinë e Kosovës, OJQ-të shënojnë “Ditën Ndërkombëtare pa Makina”. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton formon grupin punues për Projektligjin për Gjykatën Komerciale, shqyrton raportet e Komisioneve të përhershme  për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj,. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. (Kabineti i kryetarit, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 203-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Përmes formës online, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton rekomandimet e dala nga raporti i auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportin vjetor Financiar i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronëssi dhe Raportin vjetor Financiar i Institucionit të Avokatit të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë bën rishikimin e Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim i Politikave dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në bashkëpunim me Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut organizojnë një konferencë me temë 'Sfidat e Kosovës që vijnë Rusia dhe Kina' me Holden Triplett Agjenti Special i FBI -së dhe Drejtor për Kundërzbulimin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ret. (https://zoom.us/j/98242813908?pwd=cFBiZGdMV3pRTTV3RDJBbTE5UEtVQT09, ora 16:00)