18 Qershor 2021

MASHTI dhe DKA-të diskutuan për aktivitetet përmbyllëse të vitit shkollor

Prishtinë, 7 maj - Procese dhe aktivitete të rëndësishme në arsim e që për objektiv kanë mbylljen me sukses të këtij viti shkollor kanë qenë temë kryesore e diskutimit në një takim të përbashkët mes zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) dhe drejtorëve të Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA).

Në këtë takim, ministrja Arbërie Nagavci i ka falënderuar drejtorët e DKA-ve për përkushtimin e tyre gjatë gjithë vitit, që të menaxhojnë me sukses sfidat dhe vështirësitë e organizimit të mësimit në kushte të pandemisë COVID-19.

Ministrja, gjithashtu, i ka falënderuar drejtorët dhe mësimdhënësit në gjithë Kosovën që i janë përgjigjur kërkesës së Ministrisë për të organizuar mësimin plotësues për nxënësit që kanë ngecje në arritjen e rezultateve si pasojë e pandemisë.

Po ashtu, ministrja Nagavci ka vlerësuar lartë mbështetjen e Fakultetit të Edukimit gjatë gjithë periudhës së pandemisë, e veçanërisht duke iu përgjigjur nevojës për angazhimin e studentëve për të zëvendësuar mësimdhënëset shtatzëna, të cilat sipas vendimit të Qeverisë janë të liruara nga pjesëmarrja fizike në shkollë.

Në takim u bisedua edhe rreth përgatitjeve që po bëhen për mbajtjen e Testit të Arritshmërisë, Testit të Maturës, si dhe vlerësimeve ndërkombëtare si PISA dhe PIRLS. Ministrja ka kërkuar mobilizim të plotë në mbarëvajtjen e testeve në mënyrë që rezultatet të jenë sa më reale.

Drejtorët komunalë të arsimit ngritën disa shqetësime si paditë e mësimdhënësve në gjykata për çështjen e shujtave për shkak të kontratës kolektive, mungesën e stafit në shkolla, derisa kërkuan edhe që të jetë prioritet vaksinimi i mësimdhënësve.

Ministrja tha se vaksinimi i mësimdhënësve do të jetë prioritet, por do të shihet mundësia që të ju jepet përparësi mësimdhënësve që vuajnë nga sëmundje të rënda dhe ata që janë në moshë të shtyer.

Arsimi dhe aftësimi profesional ishte po ashtu temë e takimit, për të cilën ministrja Nagavci theksoi se ky segment i arsimit është pikë e veçantë edhe në programin qeverisës, duke e pasur parasysh rëndësinë që ka në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e punësueshmërisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Qershor 2021 - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli do të vizitojnë banesat kolektive ku janë përfunduar punimet për renovimin e kulmeve, si dhe ku kanë filluar punimet për lyerjen e korridoreve. (Përballë Qendrës Sportive, ora 10:00)

- Anulohet -  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mban tryeza e radhës bashkëbisedim me Ministren e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli. (Zyrat e Odës Amerikane në Pejton, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, shefi i misionit të UNHCR, Erol Arduc, Drejtuesi i sektorit të bashkëpunimit nga Zyra e BE-së, Luigi Brusa, dhe Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, znj. Ulrika Richardsondo të zbulojn pllaken e përurimit të një pjese të sapo renovuar të Qendrës së Azilit, në Vranidoll të komunës së Prishtinës. (Qendra e Mbajtjes në Fshatin Vranidoll, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me nënkryetaren Memnuna Ajdini do të vizitojnë rajonin e Zhupës, ku do të shohin nga afër projektet e realizuara në këtë rajon. (Rajoni i Zhupës, ora 10:30)

- Kolegji Universum organizon një ligjeratë publike me Alain Le Roy - diplomat francez i cili ka qenë Zv. Sekretar i përgjithshëm i OKB-së, udhëheqës i gjitha operacioneve globale paqeruajtëse të OKB-së në botë, Ambasador i Francës dhe shumë poste tjera të rëndësishme. (Hapësirat e kolegjit Universum në kampusin e Lipjanit, ora 11:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë shqyrton formimin e grupeve punuese për mbikëqyrjen e ligjeve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 13:00)

- Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina mban në konferencë për shtyp rreth më të rejave të klubit. (Pallati i Rinisë dhe Sporteve, ora 14:00)

- Prointegra organizon takim publik ''Kosova në lëvizje - Kontributi i diasporës''. (Online nëpërmjet ZOOM, ora 14:00)