29 Mars 2024

Arsimi i lartë në krizë, ORCA zbulon 7 plagjiatorë, zgjidhja e vetme Vetingu

Prishtinë, 4 gusht - "Urime! U vërtetuan edhe 5 plagjiatura të reja. Në një situatë normale ne do t’ju uronim dhe me kaq do ta mbyllnim këtë adresim për publikun. Por, ajo që po ndodh në Universitetin e Prishtinës është skandaloze", deklaron Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim - (ORCA).

Plagjiatorët në këtë universitet sipas ORCA-së po shpërlahen siç shpërlahen paratë e mafisë. Atyre po u shqiptohet dënimi më qesharak që mund të mendohet për një hajn. Po u shqiptohet dënimi me mosmentorim të diplomave nga dy e tre vjet, çka në fakt përbën lehtësim të punës së tyre.

ORCA i sfidon të gjithë që të gjejnë një rast në botë ku dikush të cilit i vërtetohet plagjiatura, nuk përjashtohet e nuk i merren titujt e fituar përmes saj.

ORCA ia sqaron edhe njëherë publikut se çka është plagjiatura. Plagjiatura është hajni, vjedhje, ai që vjedh është hajn.

Për publikun kosovar që e njeh korrupsionin më tepër përmes asaj që quhet procedurë prokurimi analogjia do të ishte: profesori është si një zyrtar prokurimi. Imagjinoni një zyrtar prokurimi në një ministri të vërtetohet se ka vjedhë në prokurim dhe dënimi për të të jetë 2 vite suspendim me pagesë nga puna.

Ja pra, kaq është dënimi për profesorët që zihen me plagjiaturë në Universitetin e Prishtinës. Për 2 vite lirohen nga obligimi i mentorimit të diplomave ndërkohë që paga e tyre mbetet e njëjtë.

Gjatë vitit 2022 ORCA ka vërtetuar 7 plagjiatorë. Ardian Kastrati deputet në Kuvendin e Republikës, Bujar Dugolli senator në UP, 1 muaj më parë.

Ndërkaq sot sipas ORCA-së këtyre iu bashkohen edhe 5 të tjerë, përfshirë dekanin e Fakultetit të Sporteve Musa Selimi, profesorin Bylbyl Sokoli, profesori Ajvaz Berisha, profesori Hazir Salihu dhe profesori Afrim Koca.

Më 28 tetor 2021, ORCA kishte denoncuar në Këshillin e Etikës pretendimet e bazuara për plagjiaturat e 5 profesorëve të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit.

Ndërsa më 4 korrik 2022, Këshilli i Etikës ka vendosur që pretendimet e dorëzuara nga ORCA qëndrojnë dhe si rrjedhojë të 5 profesorët shpallen plagjiatorë. Ky është një hap para në luftën për integritet akademik, por po ashtu hapje e një kutie të pandorës kur është fjala për masat që merren për ta.

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës plagjiaturën po e dënon me mosmentorim temash të diplomave, kërkesa jonë është që në varësi të rasteve që plagjiatorët ose të përjashtohet dhe t’u merren titujt aktualë kur ata e kanë mashtruar universitetin, ose të merren masa si moslejim i avancimeve kur ata nuk kanë arritur që mashtrimin ta çojnë deri në fund.

Pas këtyre 7 vendimeve ORCA mendon se janë pjekur kushtet për një ndërhyrje radikale të Ministrisë së Arsimit. Dhe kjo ndërhyrje nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse vetingu në arsimin e lartë. Madje këtë e kanë kërkuar edhe 35 organizata të shoqërisë civile me një letër publike drejtuar qeverisë së Kosovës më 29 qershor 2022.

Ju do të na thoni se ne po bëjmë thirrje për ndërhyrje në autonominë akademike të universitetit. Ne ju themi juve se universiteti nuk gëzon autonomi për të strehuar plagjiatorë, pra hajdutë, dhe të shkelë përveç të gjitha rregullave e ligjeve në fuqi edhe kodet më logjike morale e etike të kësaj shoqërie.

ORCA më nuk do të dorëzojë asnjë lëndë të ngjashme në instancat e Universitetit të Prishtinës, por do të orientojë të gjitha energjitë e saj në presione ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës. Tash topi është në oborrin e ministres Arbërie Nagavci dhe Kryeministrit Albin Kurti.

Këta të dy sipas ORCA-së, nëse brengosen për të ardhmen e këtij vendi duhet të ndërhyjnë. Ky vend rrezikohet seriozisht nga rehabilitimi i korrupsionit, konkretisht hajnisë, që do të na çojë në një krizë të thellë morale si shoqëri, ndërkohë që cilësia në arsim do të bie edhe më poshtë, po, edhe më poshtë seç jemi, do me thënë së shpejti nga 76% analfabetë siç tregojnë rezultatet e PISA-s, do të mund të thyejmë rekorde duke u bërë populli i vetëm në botë me 100% analfabetizëm funksional.

Dhe vetëm pas një ndërhyrje domethënëse, ORCA do të vazhdojë demaskimin e të gjithë atyre që kanë mashtruar në të kaluarën apo që mashtrojnë sot dhe vënien e tyre para bankave të të denoncuarve dhe në situata të turpërimit publik.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)