28 Tetor 2020

Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës Kosovë-Serbi, ja çfarë pritet të diskutohet

Bruksel, 17 shtator - Sot në Bruksel do të jetë takimi i radhës ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësimin e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Mirosllav Lajçak.

Ky i fundit ka thënë se në takimin e sotëm temë diskutimi do të jenë pretendimet financiare dhe aranzhimet për komunitetin joshumicë.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë rënë dakord që ekipi negociator të ndjekë këto tema.

“Të dyja temat janë shumë komplekse, për këtë arsye do të diskutojmë për pretendimet financiare dhe aranzhimin për komunitetin jo shumicë në ditët në vijim”, është shprehur ai.

Por, takimi i sotëm në Bruksel ka ngjallë diskutime të ashpra në Kosovë.

Mundësia e riaktualizimit të Asociacionit të komunave serbe në dialogun me Serbinë po konsiderohet e rrezikshme nga presidenti, opozita dhe shoqëria civile.

Presidenti Hashim Thaçi kërkoi nga Kuvendi përmes rezolutës t’i ndalojë të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës.

“Diskutimi për asociacionin në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Por, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se në kryeqytetin evropian nuk do të diskutohet Asociacioni.

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 23 nene të marrëveshjes për Asociacionin janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Tetor 2020 - Qendra e parë shoqërore në Prishtinë “Termokiss” nisë programin pesë ditor “Krejt Ka Pak V - Me Zemër Ngat” me aktivitete të ndryshme. (Hapësira e Termokissit, ora 9:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me përfaqësuesit e Divizionit të Skemave për Kategoritë e Luftës në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të  Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të  “Muajit të mundësive të barabarta për personat me aftësi të kufizuara”, që është muaji tetor, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Administratës Osman Hajdari, do të vizitojnë personat me aftësi të kufizuara që janë të angazhuar në Administratën Komunale të Komunës së Prizrenit. (Objekti i Administratës Komunale në Qendrën për Shërbime të Integruara-One Stop Shop, ora 10:00)

- Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq raporton para Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim lidhur me raportin e punës së ministrisë, për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti së bashku me Zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj mbajnë tryezë konsultative me Organizata të Shoqërisë Civile për prioritetet e Agjendës së Reformave Evropiane. (Objekti i Qeverisë, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi do të mbajë një konferencë për media. (Ministria e Drejtësisë, ish-objekti i Rilindjes, kati IX, salla 914, ora 11:00)

- Ministri i Tregtisë dhe industrisë, Vesel Krasniqi raporton para Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike lidhur me problemet që është duke u ballafaquar ministria në përgjithësi, në veçanti për prodhuesit dhe transportuesit vendor për CEFTA si dhe për subvencionet e ndara për biznese gjatë pandemisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. (Objekti i KRPP-së, ora 14:00)

- Ministrja e Financave Hykmete Bajrami raporton para Komisionit për Buxhet dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në Sistemin e Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci përmbyllë Projektin “Akademia për Lidership”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sot mban tryezë me përfaqësues të institucioneve të vendit, organizatave që merren me përkrahjen e grave me kancer të gjirit, si dhe gra të mbijetuara nga kanceri i gjirit. (Holli i Kuvendit, ora 15:00)

- Ambasada e Gjermanisë bashkë me Asociacioni për Evropën Juglindore dhe Instituti Aspen Gjermani organzojnë konferencën digjitale “Të rinjtë, migrimi dhe sfida demografike në Ballkanin Perëndimor”. (Onlne, ora 16:00)