24 Prill 2024

Sivjet më shumë turistë kosovarë ia mësyn Turqisë përmes Veneta Travel

Prishtinë, 7 korrik - Aplikimi i regjimit të vizave nga shtetet e zonës Shengen, por edhe vendet e tjera po i pengon turistët kosovarë që të kenë më shumë zgjedhje për pushimet e tyre vjetore. Kështu thotë Ilaz Beqiri, menaxher kryesor i kompanisë turistike “Veneta travel”. Sipas Beqirit, turistët kosovarë që shkojnë përmes aranzhmaneve turistike, gjatë kësaj vere janë të orientuar kryesisht në Turqi, kurse më pak në Bullgari e Greqi.

Derisa Shqipëria mbetet destinacioni kryesor për kosovarët me xhep më të cekët, Turqia vazhdon të tërheq si magnet turistët më të “kamur” kosovarë. Beqiri bën të ditur se me gjithë frikën për çështjen e sigurisë në shtetin turk, kjo nuk i ka sprapsur pushuesit nga Kosova. Sipas tij, sivjet ka rreth 15 për qind më shumë rezervime që janë bërë nga pushuesit në Kosova për në hotelet e bregdetit turk.

Sipas Beqirit, kësaj i ka kontribuar zbritja  e çmimeve në resorte të ndryshme hotelesh në Turqi, madje deri në masën 50 për qind. “Ka pasur fillimisht drojë rreth sigurisë, por me kalimin e kohës kjo është kaluar dhe vetëm sa ka pasur më shumë të interesuar për të pushuar në bregdetin turk. Sigurisht se shteti turk i kushton më shumë rëndësi zonës turistike të vendit”, thotë Beqiri.

Kështu, deri në fillim të korrikut janë prerë 34 mijë bileta aeroplani që si destinim kanë rivierën turke. “Vetëm përmes kompanisë tonë janë bërë 1500 rezervime”, shprehet Beqiri. Sipas tij, mesatarja e një pushimi javor për një çift në Turqi lëviz nga 800 deri 1000 euro në javë, derisa mund të gjenden edhe çmime më të lira.

Ndryshe, agjencia “Veneta Travel” bën aranzhmane edhe në një prej hoteleve në Ulqin, hoteli “Otranto”. Ai shprehet se ky është një prej hoteleve më luksoze në Ulqin dhe gjithë Malin e Zi, derisa dominohet nga pushuesit kosovarë dhe ata polakë.   

Sa i përket Shqipërisë, Beqiri shprehet se nuk aplikojnë aranzhmane, ngase për shkak të afërsisë, pushuesit kosovarë bëjnë vetë zgjedhje me akomodimin e tyre dhe hulumtojnë ofertat më të lira dhe më të favorshme për ta. “Me gjithë bukurinë që ofron bregdeti shqiptar dhe mundësitë e pafund turistike, ende nuk është krijuar një traditë e aranzhmaneve të rregullta që do të joshnin jo vetëm pushuesit me të ardhura mesatare, por edhe ata më të pasur”, shprehet Beqiri.

Por, sipas Beqirit, hendikepi më i madh për kosovarët vazhdojnë të mbeten vizat. Sipas tij, me heqjen e vizave për zonën Shengen, do të krijoheshin më shumë mundësi që kosovarët të zgjidhnin për pushime edhe vendet e BE-së. Sipas tij, ka vende ku madje, për kosovarët është pothuajse e pamundur hyrja në disa shtete, siç është rasti i Spanjës, që nuk lëshon viza fare për pushuesit kosovarë.

Ngjashëm është situata edhe me shtetin afrikan, Tunizinë. Sipas tij, edhe mundësitë për pushime në vende të tjera janë të kufizuara, për shkak të procedurave të gjatë për viza, pritjeve të gjata dhe kostove shtesë. Ai përmend si shembull Kroacinë dhe Egjiptin.

“Ne kemi pasur vitin e kaluar aranzhmane për Egjipt, por ka ndodhur që vizat të vonohen afër një muaj dhe në fund është dashur të ndërprejmë këtë bashkëpunim”, thotë Beqiri. Sipas tij, pa heqjen e vizave, biznesi i turizmit mbetet i kufizuar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)