24 Prill 2024

SHBA: Shtëpi historike tërheqin një numër të madh turistësh

Washington, 3 tetor - Shtëpitë historike në mbarë Amerikën tërheqin turistë që synojnë të mësojnë më shumë rreth pronarëve të famshëm të shumë viteve më parë. 

Graceland e Elvis Presley-it dhe Mount Vernon e George Washington-it janë dy më populloret. Por edhe disa shtëpi të vogla ruajnë kujtimet e njerzve të famshëm që jetuan aty para shumë kohësh.

Kjo shtëpi e vogël në Winchester të Virginias hapi dyert për publikun muajin e kaluar. Aty jetoi një prej këngëtareve më të dashura të Amerikës, e cila vdiq në moshën 30 vjeçare.

Albumi “Greatest Hits” i këngëtares Patsy Cline u shit në më shumë se 10 milion kopje. Ajo jetoi këtu me familjen nga mosha 16 deri në 21 vjeçare.

Judy Sue Huyett-Kempf është drejtoreshë e shtëpisë historike të Patsy Cline.

“Kur Patsy jetonte në këtë shtëpi, ajo këndonte në konkurse të talenteve të reja, në kishë dhe kudo që kishte mundësi”.

Kushërira e parë e Patsy-it, Patricia Brannon, shoqëron turistët në këtë shtëpi historike. Ajo ishte 6 vjeç më e vogël se sa Patsy dhe shpesh vinte për vizitë kur ishte fëmijë.

“Patsy jetonte këtu me nënën e saj, motrën dhe vëllanë. Ata nuk kishin shumë para dhe shpesh përballeshin me vështirësi financiare”.

Kujtimet e fëmijërisë të zonjës Brannon e ndihmuan atë ta restauronte shtëpinë siç ishte nga fundi i viteve 1940. Ajo është e kënaqur që Winchester po e nderon më në fund kushërirën e saj, gati 50 vjet pasi ajo humbi jetën në një aksident ajror.

“Të gjithë thoshin se Patsy nuk kishte asgjë të përbashkët me qytetin Winchester, por kur bashkia e bleu shtëpinë dhe e restauroi, ishte një prej zhvillimeve më pozitive që ndodh në këtë qytet”.

Këngëtarja Patsy Cline nderohet edhe në forma të tjera në Winchester. Për shembull, varri i saj ka tërhequr vizitorë për vite me rradhë, por zonja Huyett-Kempf thotë se dashamirët e saj kishin pritur për një kohë të gjatë për njohjen e shtëpisë së Patsy-it.

“Kjo është historia e Patsy-it, ku ajo ecte, hante dhe flinte. Ne mund të lejojmë vetëm 20 veta në çdo turne të shtëpisë, sepse ajo është shumë e vogël. Megjithatë, në 5 ditët e para për publikun, këtu erdhën mbi 600 vizitorë”.

Babe Ruth konsiderohet si një prej lojtarëve më të mëdhenj të bejsbollit në histori. Ai lindi në një shtëpi në Baltimor të Marylandit më 6 shkurt të vitit 1895.

Mike Gibbons është drejtori ekzekutiv i Vendlindjes dhe Muzeut të Bejb Ruthit. Ai thotë se Ruthi ishte sportisti i parë i famshëm.

“Ai ishte personaliteti i parë që kishte një agjent sportiv. Ai ishte personaliteti i parë që bëri reklama për mallra konsumi”.

Shtëpia e lindjes së Bejb Ruthit ishte në plan të shkatërrohej në vitet 1960-të. Ajo u shpëtua nga banorët e Baltimorës dhe ka qënë e hapur për publikun për gati 40 vjet.

“Në këtë shtëpi ne i japim shumë mundësi publikut të vijë dhe të mësojë rreth jetës së Bejb Ruthit. Ai nuk jetoi këtu, kjo ishte shtëpia e gjyshërve të tij dhe por vinte shpesh këtu gjatë 7 vjetëve të parë të jetës së tij”.

Me që bashkia e qytetit shpëtoi edhe 3 shtëpi të tjera krahas kësaj shtëpie, ka mjaft hapësirë për të ekspozuar artikuj nga jeta e Bejb Ruthit, nga lojrat e bejsbollit në vitet e fëmijërisë me këtë dorezë, në vitet e para të karrierës së tij në Baltimor e deri në vitet e kulmit të karierës së tij.

Por jo çdo shtëpi historike ka këtë luks. Kjo shtëpi, më e vjetra në Baltimor, ishte shtëpia e Edgar Allan Po, një prej shkrimtarëve më të famshëm të Amerikës, i cili njihet më shumë për poemat dhe novelat e tij të frikshme.

“Ne besojmë se ai jetoi këtu në periudhën 1832-1835. Në atë kohë, ai ishte rreth 25 vjeç dhe bashkë me të këtu jetonin edhe dy kushërinj të tij, Henri dhe Virxhinia, tezja e tij Maria Clemm, dhe gjyshja”.

Dhoma e tij e gjumit në hapësirën nënçati është mobiluar ashtu siç historianët mendojnë se ishte kur shkrimtari jetonte këtu.

“Ai ndoshta kishte një krevat, shumë i ngjashëm me atë që kemi vënë në shtëpi. Ai kishte një karike, ndoshta një tavolinë të vogël dhe një lavaman”.

Në dhomat e tjera janë ekspozuar një numër i vogël objektesh, por nuk ka shumë hapësirë, madje pas qershorit të ardhshëm shtëpia do të mbyllet për publikun. Zoti Xherom thotë se qyteti i Baltimorës ka shkurtuar fondet për shtëpinë e shkrimtarit.

Po është varrosur në Baltimor. Ai vdiq këtu në rrethana misterioze kur ishte 40 vjeç. Kuratori thotë se njerzit vijnë këtu nga e gjithë bota për të vizituar shtëpinë dhe varrin e shkrimtarit të famshëm amerikan. Ai shpreson që njerëzve të mos u mohohet mundësia për të vizituar shtëpinë e shkrimtarit Po.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)