20 Janar 2020

Përurohet liqeni akumulues në lumin Ibër

Mitrovicë, 14 nëntor - Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor znj. Albena Reshitaj, e shoqëruar nga Zv/ Kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës Behgjet Pacolli e  Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri përuruan Projektin “Rregullimi i  Liqenit Akumulues në Lumin Ibër” i  realizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Mitrovicës, në vlerë prej 4,193,649.49 euro.

Ministrja Reshitaj pas prerjes së shiritit vlerësoi se ky projekt është i një rëndësie të veçantë pasi që nga një zonë degraduese është krijuar një zonë rekreative me zhvillim të qëndrueshëm për Komunën e Mitrovicës dhe me gjerë.

Falë këtij projekti Mitrovica tani ka pamje jashtëzakonisht të bukur, dhe do të jetë pikë rekreative, turistike që do të tërheqë numër të madh të vizitorëve, të cilët do të shijojnë plazhet, pushimoret, shëtitoret, restorantet dhe kafenetë, sportin e kajakut-lundrimit me varka në ujë, si dhe mundësinë e shfrytëzimit të ujit për ujitje të Kopshtit Botanik si dhe Kampusit Universitar.

“Me këtë rast dua të falënderoj kryetarin e Komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtirin për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në këtë projekt si dhe mirëmbajtjen e kësaj hapësire të shkëlqyeshme që po i jep pamje turistike Mitrovicës”, tha ndër të tjera Ministrja Reshitaj.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës z. Behgjet Pacolli, u shpreh i  kënaqur me punën e madhe të kryetarit Bahtiri, “Është kënaqësi sigurisht. Edhe një sukses i madh i kryetarit Bahtiri, por iu them se nuk mbaron me këtë. Agimi ka plane tjera për Mitrovicën. Është kënaqësi të jesh këtu sot dhe të shijosh këtë atmosferë që të sjell ndërmend se kjo shoqëri duhet të ecë përpara”, theksoi ndër të tjera Zv/ Kryeministri Pacolli.

Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri falënderoi Ministren e Mjedisit për kontributin që kjo ministri ka dhënë në realizimin e këtij projekti si dhe projekteve tjera që parashihen të realizohen në këtë komunë, ndërkaq u shprehë falënderues edhe ndaj z. Pacollit për përkrahjen që ky i fundit i ka dhënë dhe po i jep qytetit të minatorit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 janar 2020

- Zyra e BE-së/Përfaqësuesi Special i BE-së në bashkëpunim me Qendrën për Arsim të Kosovës dhe organizatat e tjera joqeveritare, anëtare e “Rrjetit të Kosovës për punësim dhe arsim” do të organizojnë konferencën përfundimtare e cila do të përqendrohet në arsim dhe punësim. (Hoteli Swiss Diamond, ora 9:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të mbajë takim me qytetarë, ku do të njoftojë për punën e Komunës së Prizrenit gjatë vitit 2019. (Salla e Kuvendit Komunal në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Prishtinës. (Shkollën Model në Prishtinë, ora 11:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka thirrur mledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të Legjislaturës VII. (Ndërtesa e Kuvendit, Salla C 301, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, do të marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore, në dy vjetorin e vdekjes së veprimtarit të Çështjes Kombëtare, Jonuz Musliu. (Shtëpia e Kulturës në Bujanoc, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Obiliqit. (Shkolla "Ismail Dumoshi" në Obiliq, ora 14:00)

- Hapet ekzposita "Cikël me Peizash" nga piktori Anton Krasniqi. (Kafe Atelie +S, rruga 'Avdyl Frasheri' nr. 42, Prishtinë, ora 19:00)