19 Prill 2024

New Yorku rikthehet si qytet i preferuar turistik

New York, 19 nëntor - Uragani Sandy ishte një ndër stuhitë më të rënda në historinë e New Yorkut. Uragani përmbyti shtëpi e biznese, ndërpreu rrymën elektrike për Manhattanin, Brooklynin, Staten Island and Queens dhe pezulloi metrotë e autobusët urbanë.

Sandy goditi edhe një ndër industritë më të mëdha të New Yorkut – turizmin. Në vazhdim ju njohim me New Yorkun turistik dhe në çfarë gjendjeje e ka lënë atë stuhija:

Mbi 50 milionë turistë vizitojnë çdo vit New Yorkun. Shumë prej tyre i tërheq luksi dhe dritat, apo shfaqjet spektakolare. Turistët shpenzojnë në vit mbi 55 miliardë dollarë në këtë qytet.  Por uragani Sandy dhe pasojat që solli i kanë shqetësuar turistët.

\"E planifikuam udhëtimin prej kohësh. Fillimisht menduam ta anulojmë, por kur po afrohej dita vendosëm të shkojmë,” shprehet një turiste.
 
Pjesa më e madhe e frekuentuesve të shfaqjeve teatrale në Broadway janë nga qytete të tjera. Shitjet vjetore të biletave arrijnë në 1 miliard dollarë.

Kur, si rezultat i Sandy-t u shuan dritat e skenave për tri ditë – periudha më e gjatë në histori, Broadway humbi 8 milionë dollarë në të ardhurat nga biletat.
Charlotte St. Martin, presidente e Lidhjes së Brodwayt, thotë se kur skenat e Brodwayt janë në errësirë, New Yorku është në errësirë. Për të, ngritja e siparit është një akt hyjnor:

\"Ndoshta pasi shprehja “shfaqja duhet të vazhdojë” nuk është thjesht një frazë që tingëllon bukur. Ajo është në zemrën dhe thelbin e të gjithë atyre që punojnë në Broadway. Qoftë aktori, shitësi i biletave, sufleri, regjisori, të gjithë ndjejnë një përgjegjësi të jashtëzakonshme që të ndizen dritat e skenës për interpretuesit”.
 
Nancy Plaeger është presidente e Dhomës së Tregtisë për Manhatanin. Ajo pohon se turistët shprehnin shumë irritim në fillim.
 
\"Asgjë nuk ishte e hapur, nuk kishte ku të shkonin për blerje, nuk mund të vizitonin objektet turistike. Shumë prej tyre mbetën të mbyllur në hotele dhe hanin në restorantet e lagjes. Nuk kishin mundësi as të dilnin për shëtitje në park”.
 
Një shëtitje me anije turistike rrotull ishullit të Manhatanit është ndër aktivitetet e preferuara për shumë turistë. Flota e kompanisë Circle Line nuk u dëmtua gjatë stuhisë, thotë zëdhënësi Jason Hackett, por moloja u përmbyt nga stuhija.

\"Uji u ngrit afro 2 metra e gjysmë mbi molo, duke shkatërruar sistemin elektrik, sistemin kompiuterik dhe na u deshën disa ditë të rikthenim çdo gjë në funksionim për turistët”.

Në ditën e parë të rifillimit të tureve, 1 mijë e 200 vizitorë dolën shëtitje me anijet turistike për të parë qytetin e famshëm.

\"E kam pasur ëndërr të vija në New York dhe u ballafaquam me një makth të vogël. Por tani qyteti po rimëkëmbet. E dimë që Amerika është fantastike në çdo gjë. New Yorku është mrekulli!”.

Në zonat e fshehura për sytë e turistëve, mijëra New Yorkezë ende vuajnë efektet e uraganit. Disa ende nuk kanë energji elektrike, të tjerë janë pa shtëpi ndërkohë që afron dimri.

Megjithatë qytetit i është kthyer gumëzhima. Siç është shprehur një shkrimtar për New Yorkun “Nuk mund ta mbash përtokë diçka që është krijuar të ngrihet në këmbë”.

   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)