19 Prill 2024

Kategorizimi i hoteleve të rregullohet sipas standardeve ndërkombëtare

Prishtinë, 14 mars - Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë u mbajt takimi i Komisionit për Klasifikim dhe Kategorizim te Objekteve Hoteliere me  drejtorët e drejtorive të Turizmit, Zhvillimit Ekonomik dhe udhëheqësit e inspektorateve të komunave të: Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Ferizajt dhe Gjakovës.

Në takim u diskutua rreth ngritjes dhe sensibilizimit të bizneseve të subjekteve hoteliere për klasifikimin dhe kategorizimin e objekteve akomoduese në Kosovë.

Kryesuesi i Komisionit për Klasifikim dhe Kategorizim te Objekteve Hoteliere, Hysen Sogojeva i njoftoi të pranishmit për  mundësitë  dhe format e kategorizimit të objekteve akomoduese duke u koordinuar edhe me institucionet lokale, në mënyrë që të rregullohet kjo fushë sipas standardeve ndërkombëtare, edhe pse kjo çështje është vullnetare dhe jo-obliguese.

Ndërsa, zv.ministri i MTI-së, Fadil Arifi, kërkoi një bashkëpunim më të ngjeshur me të gjitha palët relevante për të ngritur numrin e aplikimeve për kategorizim të subjekteve akomoduese kudo nëpër Kosovë.

Ai më tej shtoi: “Pasi që ne jemi të bindur se turizmi  është një mundësi shumë e mirë për zhvillim ekonomik të vendit tonë dhe ka mundësi të mëdha për përfitime  nga të gjitha palët e interesit, nëse zhvillohet më shumë, por gjithnjë me aplikimin e standardeve dhe ofrimin e shërbimeve cilësore, ne si MTI kemi marrë iniciativën për forcimin e kësaj fushe.

Fillimisht do t’i rrisim kapacitetet, ku shumë shpejt do ta themelojmë Departamentin e Turizmit, ndërsa pak me vonë edhe Organizatën Kombëtare të Turizmit”, theksoi Arifi.

Ai më tej shtoi se krahas kësaj  do ta rregullojmë bazën ligjore, sepse shërbimet turistike momentalisht nuk po ofrojnë cilësi dhe as siguri te turistët. 

Zv.ministri Arifi përmendi edhe iniciativën për koncept-dokumentin për përmirësimin e Ligjit të Turizmit,  por deri në fuqizimin e ligjit të ri ne jemi të interesuar që të intervenojmë aty ku ka mundësi edhe pa ndërhyrje në ligj.

Ai po ashtu tha se është shumë shqetësuese dukuria e “vetë kategorizimit” të objekteve akomoduese.

“Na shqetëson fakti se shumë hotele sot ekspozojnë yje të cilat janë ilegale, prandaj për këtë kemi nevojë për mobilizim të inspektorateve për të intervenuar në përmirësimin e gjendjes”, potencoi Arifi.

Sipas zv.ministrti Arifi, kategorizimi i objekteve akomoduese nuk do të duhej të shihej si një barrierë apo ngarkesë për bizneset, pasi që procedurat janë shumë të thjeshta dhe nuk ka ndonjë tarifë për t’u paguar dhe se kjo do të sillte vetëm përfitime pasi që ndikon në ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe në ngritjen e imazhit të hoteleve të Kosovës.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)