26 Prill 2024

Hapet panairi i turizmit dhe ai i edukimit në Prishtinë

Prishtinë, 6 prill - Në pallatin e rinisë në Prishtinë u hapën sot dy panaire: edicioni i tetë i panairit të turizmit dhe udhëtimeve dhe edicioni i pestë i panairit të edukimit.
Organizatoret vlerësuan se këto panaire janë mundësi e mirë për prezantimin e ofertave të vendeve tjera, por edhe përurimin e turizmit dhe arsimit vendor.

Zyrtarë të organizatës CEO, thanë se në edicionin e tetë të panairit të turizmit dhe udhëtimeve do të prezantohen oferta të shumta turistike të vendeve të rajonit dhe me gjerë, por njëkohësisht do të përurohet edhe turizmi vendor.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, u shpreh se turizmi ka efekte edhe në sektorë tjerë dhe mund të shfrytëzohet për zhvillim të hovshëm ekonomik. Ajo foli edhe për potencialet që ka vendi ynë për zhvillimin e kësaj veprimtarie ekonomike.

Sipas saj, shërbimet e gjertanishme tregojnë se Kosova ka përparësitë e saja në krahasim me vendet e rajonit për zhvillimin e turizmit malor, sidomos të turizmit dimëror dhe sportiv.

“Sot turizmi radhitet në grupin e industrive më të zhvilluara të ekonomive botërore. Efekti pozitiv i zhvillimit të industrisë së turizmit nuk është i kufizuar vetëm në këtë sektor, por ai gjithashtu reflekton edhe në zhvillimin e sektorëve tjerë ekonomik. Shërbimet e gjertanishme tregojnë se Kosova ka përparësitë e saja në krahasim me vendet e rajonit në nuancat e theksuar për zhvillimit të turizmit malor, sidomos të turizmit dimëror dhe sportiv”, ka thënë Kusari-Lila.

Sabah Jenishta, Drejtori i përgjithshëm i shërbimeve mbështetëse në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, theksoi se gjatë vitit të kaluar ishte rritur ndjeshëm numri i turistëve që kanë vizituar bregdetin shqiptare. Ai konfirmoi angazhimin e mëtejshëm të qeverisë shqiptare, në mënyrë që Shqipëria të kthehet në destinacion të rëndësishëm turistik mesdhetar.

Në panair ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, i cili ftoi kosovarët që ta vizitojnë atë vend bregdetar. Më pas, në të njëjtin vend u hap edhe panairi ndërkombëtar i edukimit.

Kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen që i japin qytetit të Ulqinit dhe për atë që vazhdojnë ta zgjedhin këtë adresë të destinacionit për pushim.

“Tani Ulqini është pjesë e pandarë e Kosovës dhe shumë kosovarë e njohin Ulqinin më mirë se ne ulqinakët. Po me gojë i themi Kosovës faleminderit për mbështetjen që i jepni qytetit të juaj Ulqinit, për atë që vazhdoni ta zgjidhni endë më shumë këtë adresë të destinacionit për pushim për ju”, ka thënë Hajdinaga.

Ndërkohë që në emër të qeverisë së Malit të Zi, ai ka ftuar ministren Kusari-Lila që të vizitojë homologun e saj për të nënshkruar dhe vazhduar bashkëpunimin e mirë mes dy qeverive.

Travel & Tourism Fair 2011 do të shërbejë si një vendtakim i shkëlqyeshëm për promovimin e sektorit të udhëtimeve dhe turizmit në tregun kosovar dhe atë rajonal, duke kontribuar edhe në promovimin e turizmit vendës në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Ramë Buja, vlerësoi se prezantimi i ofertave arsimore do t’iu shërbejë studentëve të përcaktohen rreth studimeve të tyre.

Këto dy panaire do të qëndrojnë të hapura deri më 8 prill.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)